Kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të opozitës, shtyhet mbledhja e Sekretariatit të Etikës

Është shtyrë për të martën, mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohet kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës pas tensioneve që u krijuan në seancën e djeshme.

Vendimi për të shtyrë mbledhjen erdhi për t’i dhënë kohë deputetëve që të njihen me provat.

Kujtojmë se pas trazirave të ditës së djeshme në Kuvend, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi përjashtimin e 29 deputetëve të PD.

Grupi parlamentar i PS kërkon përjashtimin për 60 ditë për deputetët: Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, 30 ditë ndaj deputetes Elda Hoti, Gazment Bardhi dhe Sali Berisha; 10 ditë ndaj deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.

Sipas grupit parlamentar të PS-së, veprimet në seancën plenare ishin të mirëorganizuara nga deputetët e PD-së.