I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë është të pranojnë planin trepikësh të BE.
Në prag të konferencës ndërkombëtare në Dubrovnik, Escobar tha se ka indikacione që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është i gatshëm ta pranojë këtë plan, por “kryeministri Kurti duhet të bindet pak më shumë”.
I pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse Serbia dhe Kosova nuk i plotësojnë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të deeskaluar situatën në veri të Kosovës, Escobar tha se të dyja vendet do të humbasin mundësi të shumta.
“Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, por janë mundësi të humbura që do të humbasin të dyja vendet nëse refuzojnë propozimin për dalje nga kriza”, tha Escobar, duke shpjeguar se për Kosovën kjo do të thotë largim nga partnerët dhe partnerët e ngushtë ndërkombëtarë në rajon dhe largimi i Serbisë nga hyrja në BE.
“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”, përfundoi Escobar.