Kompania KAYO e drejtuar nga Ardi Veliu dhe policia ushtarake po mbajnë të bllokuar godinën e Panorama Group në shkelje të vendimit te Gjykates se Tiranes, pasi kjo e fundit në një vendim 2 ditë më parë vendosi pro gazetarëve, për të vijuar punën në këtë godinë.
Por kompania KAYO nuk po e zbaton vendimin dhe kjo është denoncuar nga gazetarët. KAYO dhe policia ushtarake kanë mbyllur portën që duke mos lejuar drejtuesit e gazetarët të futen në ambientet e punës në godinën e Panoramës, duke e mbajtur në mënyrë të paligjshme.
Më datë 12 gusht, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e ‘Focus Media Group’ në lidhje me ndërhyrjen e Policisë dhe Ushtrisë në ambientet e News 24 dhe Panorama.
Në vendim gjyqtarja Alma Kodraliu tha se sekuestrimi i materialeve dhe sendeve të gazetarëve ishin të paligjshme, ndaj duhet bërë inventarizimi i tyre dhe të kthehen te gazetarët.
Gjithashtu u urdhërua largimi i ushtrisë dhe lirimi i hapësirave të Panorama Tv, që do të shfrytëzohen nga Focus Media Group për vijimin e transmetimit të televizionit informativ News 24.