Nga Kirill Rogov “World Crunch”
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, janë ngritur shumë pyetje në lidhje me narrativat mbizotëruese që diktojnë politikën ruse dhe popullin rus. Janë 4 konceptet kryesore, që i japin formë perceptimeve të shumë qytetarëve rusë, madje edhe brenda segmenteve më liberale të shoqërisë. Këto korniza ideologjike, ndikojnë shumë mbi mënyrën se si rusët i interpretojnë ngjarjet aktuale dhe trajektoret historike, shpeshherë pa ndonjë konsideratë të vetëdijshme.
Miti i determinizmit
Ky mit shumë i përhapur tek rusët, pretendon se ngjarjet përparojnë përgjatë një trajektoreje të paracaktuar, duke vendosur një lidhje të pandërprerë midis pikave të ndryshme historike. Sipas kësaj narrative, 3 dekadat e fundit të historisë ruse, interpretohen shpeshherë si prova që tregojnë dështimin e aspiratave demokratike të kombit.
Por është thelbësore të sfidohet dhe të rivlerësohet ky koncept, sidomos kur shqyrtohet dekada e fundit e historisë ruse. Sepse në dallim nga rrëfimi linear që përshkruan një marshim të pandalshëm të Rusisë drejt autokracisë, ajo periudhë dëshmoi shfaqjen e njëkohshme të dy fenomeneve sociale të kundërta me njëra-tjetrën.
Që të dyja i kanë rrënjët tek zhvillimi ekonomik i vendit, i nxitur nga rritja e të ardhurave nga nafta dhe gazi. Nga njëra anë, kjo periudhë solli një pasurim të shpejtë të një segmenti të shoqërisë ruse. Nivelet e rritura të të ardhurave të shkaktuara nga bumi i energjisë, nxitën zhvillimin e qendrave urbane të modernizuara, praktika ekonomike novatore dhe sjellje të reja sociale dhe qytetare.
Ky segment, nxiti një ecje përpara drejt modernizimit, dixhitalizimit dhe kërkesave politike progresive, të shprehura dukshëm gjatë protestave të viteve 2011-2012 dhe 2019-2021. Nga ana tjetër, zhvillimi ekonomik çoi në formimin e një segmenti të kundërt brenda shoqërisë ruse.
Në skenë u shfaq një grup i rëndësishëm, i karakterizuar nga një ekonomi ri-shpërndarëse dhe rrjete klienteliste shumë të ndërlidhura midis tyre. Ky fraksion, përqafoi një mentalitet të rrënjosur tek nacionalizmi i burimeve, duke e theksuar armiqësinë ndaj Perëndimit dhe duke pasur një qasje agresive ndaj vendeve fqinje. Për pasojë, ky segment shfaqi një prirje më të fortë drejt ideologjive nacionaliste e paternaliste. Ky dualitet kompleks, përcaktoi strukturën shoqërore, duke krijuar forca shoqërore konfliktuale që i dhanë formë Rusisë së sotme.
Miti i imperializmit
Koncepti i imperializmit rus është shumë kompleks. Nga njëra anë, ka një prirje kulturore të rrënjosur thellë drejt një identiteti të superfuqisë. Nga ana tjetër, gjatë 3 dekadave të fundit, ka pasur një paradoks intrigues, ku ndërgjegjja kombëtare ruse ka treguar pak oreks për zgjerime territoriale.
Përkundrazi, ajo dukej më e prirur drejt shikimit të problemeve vetjake dhe konsolidimit të brendshëm. Edhe gjatë shembjes së BRSS-së 3 dekada më parë, u shfaq një fenomen i jashtëzakonshëm:rusët nuk shfaqën as dëshirën dhe as aftësinë për ta mbrojtur perandorinë e tyre.
Parulla si “Ndaloni së ushqyeri ata në Azinë Qendrore”, e vunë theksin tek zgjidhja e çështjeve të brendshme, në vend të kërkimit të zgjerimit jashtë vendit. Deri në dhjetorin e vitit 2021, sondazhet tregonin se vetëm 20 për qind e rusëve, ishte pro aneksimit të territoreve të reja.
Ndërsa opozita ruse mendon të angazhohet me shoqërinë, është thelbësore të njihet kjo prirje gjatë 3 dekadave të fundit. Por kjo pikëpamje, po përballet me një presion në rritje nga propaganda që e vë theksin tek përfitimet e zgjerimit. Por ndërsa Putinizmi e percepton Rusinë, si një perandori të destinuar të zgjerojë ndikimin e saj paternalist dhe të fuqishëm, realiteti është ndryshe. Pavarësisht dëshirës së rusëve për statusin e një fuqie së madhe, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ekspansionizmin agresiv që i atribuohet atij nga Putini.
Gabimet e viteve 1990
Miti i tretë përqendrohet rreth besimit popullor tek liberalët rusë, sipas të cilit ishin dështimet e reformave të viteve 1990, ato që sollën në pushtet një njeri si Putin. Kjo pikëpamje deterministe, e shpjegon gjendjen e vështirë aktuale me veprimet dhe idetë e qeverive të para post-sovjetike.
Por ky koncept duket i mangët dhe i dëmshëm për mendimin, traditën dhe opozitarizmin liberal rus. Ky mit pretendon se vitet 1990, sollën dështimin e ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme apo edhe të një ekonomie të drejtë të tregut të lirë. Por pritshmërisë që Rusia t’i arrinte këto qëllime në një periudhë kaq të shkurtër kohore, i mungon precedenti historik apo edhe shembujt në vende të tjera.
Krahasimi i viteve të para të Rusisë post-sovjetike me shfaqjen e republikave të reja evropiane pas Luftës së Parë Botërore, apo ish-republikave të tjera sovjetike pas rënies së BRSS, zbulon modele të ngjashme:shtete të dobëta, ekonomi të paqëndrueshme, dhe një peizazh politik të trazuar.
Ky kontekst, sugjeron se pritja e një tranzicioni të shpejtë dhe pa probleme ishte jorealiste, duke pasur parasysh edhe analogjitë historike. Besimi se brezi i parë i reformatorëve mori vendime në thelb të gabuara, i shpërfill sfidat normative me të cilat u përballën rusët gjatë fazës fillestare të formimit të një sistemi demokratik pa një përvojë paraprake.
Një demokraci e qëndrueshme, kërkon organizata partiake të qëndrueshme, të shkëputura nga individët, dhe të ndërtuara mbi vazhdimësinë dhe traditën e vlerave thelbësore të elektoratit.
Përshkrimi i viteve 1990, si një epokë kaosi dhe vaniteti, shërben si një justifikim për legjitimitetin e Putinizmit. Në realitet, ajo ishte një periudhë e ndërtimit aktiv të institucioneve, e krijimit të institucioneve republikane dhe ekonomisë së tregut në Rusi, pavarësisht nga të metat e tyre thelbësore.
Miti i post-Putinit
Miti i katërt, ka të bëjë me besimin e shumë-përhapur, se gjithçka do të ndryshojë ndjeshëm pas largimit apo ikjes së Putinit. Por nuk është e thënë që të ndodhë pikërisht kështu. Sepse largimi i tij, mund të jetë një mënyrë e përshtatshme për regjimin që ta shkarkojë veten nga gabimet e akumuluara, duke ruajtur thelbin e “Putinizmit pa Putinin”, siç e thekson edhe politologu i njohur Nikita Savin.
Pavarësisht dobësisë së tyre të dukshme në mekanizmat e vazhdimësisë, regjimet personaliste, demonstrojnë se personalizmi është një institucion që mund të përsëritet
brenda kontekstit të duhur institucional. Prandaj, është i nevojshëm një riorientim në qasjen ndaj kësaj çështjeje.
Përkundër besimit popullor, periudha para largimit të Putinit është një kohë e përshtatshme për opozitën ruse. Kjo fazë përfshin përballjen me një regjimi personalist në rënie e sipër, dhe adresimin e gabimeve që lidhen me sundimtarin, sidomos në mesin e një lufte jo popullore.
Është thelbësore që gjatë kësaj periudhe, opozita të paraqesë një alternativë bindëse, në vend se ta presë pasivisht vdekjen e diktatorit, moment që shpeshherë idealizohet, pasi shpresohet se do të sjellë një të ardhme të përsosur për Rusinë, pa kaluar nëpër fazat tranzitore.
Në shumë mënyra, epoka post-Putin ka filluar tashmë, me luftën e vazhdueshme për trashëgiminë e tij. Pas largimit të Putinit, do të ketë një konkurrencë të fortë për të mbushur boshllëkun e lënë pas nga ai. Prandaj, është thelbësore nxitja e një ndjenje anti-Putinizmi brenda ndërgjegjes kombëtare. Kjo ndjenjë, duhet të ketë një pozicion kyç në konkurrencën për trashëgiminë e tij.