Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është takuar nga afër me dhjetra të rinj të cilëve Policia e Shtetit ua ka bllokuar monopatinat prej disa muajsh dhe ato po shkatërrohen në kushtet e motit në ambientet e hapura të pikave të sekuestrimit.
Kapri ka ngritur shqetësimin se ky veprim ka shkaktuar një dem prej miliona eurosh për të rinjtë, të cilët shumica i kanë blerë monopatinat me kredi për të shpëtuar nga trafiku kaotik ose për të kursyer para.
“Siç e shikoni, monopatinat janë marrë dhe janë lënë këtu, ndërkohë që qindra e qindra të rinj ende nuk kanë pasur mundësinë t’i tërheqin dhe t’i marrin. Atyre u kërkohet fatura e blerjes dhe procesverbali i ndalimit, gjë që e bën të vështirë rikthimin e monopatinave në përdorim,” – u shpreh Kapri.
Kapri ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të rritet presioni që Qeveria të nisë shqyrtimin e projektligjit të dorëzuar prej një muaji e gjysmë në Parlament nga deputeti i Partisë Mundësia.
“Unë kam bërë gati projektligjin dhe pres që të nisë shqyrtimi. Ajo që kërkoj është që të zbatohet praktika si në vendet e Europës: monopatinat të mos ecin më shumë se 25 kilometra në orë, të ketë kaskën e sigurisë dhe të qarkullojnë në të njëjtën vend ku ecën biçikleta. E di që ky është një hall i madh për të rinjtë, vini kot mbani radhë tek këto dhe një pjesë e madhe e monopatinave janë shkatërruar jashtë përdorimit”, u shpreh Kapri.
Bëhet fjalë për 10 mijë të rinj afërsisht që i përdorin në Tiranë si zgjidhje për të shmangur trafikun e rënduar dhe karburantin e shtrenjtë.