Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kërkuar nga Kuvendi që të mos kalohet për miratim projektligji për Paqen Fiskale derisa të ketë një rekomandim nga Komisioni Europian.
Ai tha se dyshimet se ka dyshime se ky është një ligj me porosi ku përfitojnë kompani të caktuara, siç kanë dalë nga dosjet e Prokurorisë Speciale.
Kapri përmendi edhe rastet e kaluara kur Komisioni Europian kishte kërkuar që të mos miratohet amnistia Fiskale, teksa shtoi se Partia Mundësia do t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare Komisionit Europian për të marrë një rekomandim për këtë çështje.
“Javën e kaluar ne e miratuam shpejt dhe pa asnjë debat projektligjin për Paqen Fiskale dhe fshirjen e gjobave. Në fakt, dy herët e kaluara kur është tentuar të kalohet një Amnisti Fiskale, është rekomanduar dy herë nga Komisioni Europian të mos miratohet.
Edhe kësaj radhe ne nuk kemi patur asnjë mendim nga Komisioni Europian. Nisur nga kjo çështje shumë sensitive, por edhe nga shumë elemente që kanë dalë në dosjet e Prokurorisë Speciale, ku kompani të veçanta mund të përfitojnë dhe po bëhet një ligj me porosi, bëj thirrje që ta shtyjmë miratimin e këtij ligji sa kohë ne dy deputetët e Partisë Mundësia, do i drejtohemi me një kërkesë Komisionit Europian të japë një mendim për këtë projektligj.
Ky projektligj shumë kontrovers, që lejon pastrimin e parave, në një kohë që vendi ka hapur kapitujt me BE, duhet të marrim një mëndin zyrtar nga Bashkimi Europian dhe të mos kalojë në Parlament”, tha Kapri.