Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në një seancë plenare ku ka votuar dhe miratuar me votat e mazhorancës një rezolutë që shpall Iranin si shtet terrorist.
Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, e ka cilësuar këtë nismë të mazhorancës si një “rezolutë servile” për t’i treguar botës se Shqipëria mbështet Perëndimin, por që në të vërtetë bëhet për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës.
Ai iu drejtua deputetëve të mazhorancës se pse kanë 2 muaj që heshtin për dhunën që policët privatë ushtrojnë ndaj banorëve të Rrjollit, me këta të fundit që kërkojnë të drejtën e tyre të pronës, që po u merret nga biznesmeni Bashkim Ulaj, me firmë të të pandehurës Belinda Balluku.
Sipas Kaprit, nëse Shqipëria do të ishte vërtet një vend afër Perëndimit, nuk do vendoste të mbronte politikisht Belinda Ballukun. Ai tha se Shqipëria sot është më larg Perëndimit se asnjëherë më përpara, dhe kjo bëhet për fatin politik të Edi Ramës që ka vendosur që integrimi të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi.
Pjesë nga fjala e Kaprit:
Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore, para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji, që kanë vlerë për t’i thënë botës se Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por në fakt e kuptojmë që këto rezoluta janë thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që dimë se çfarë do ndodhë së shpejti. Do që të sillet servil para botës. Ne bëjmë rezolutë për Iranin që na ka sulmuar dhe asnjë nga maxhoranca nuk ka kërkuar që të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Ça i kemi bërë ne vetes me AKSHI-n, s’na e ka bërë Irani.
Flasim për luftën kundër Lindjes, por Senati amerikan thotë që Kina ka rritur me 23% tregtinë me Shqipërinë vitin e kaluar. Çfarë vendi Perëndimor është ky?
Ajo çfarë u bëhet shqiptarëve këtu, ngjan shpesh edhe se çfarë u bën ajo Garda iraniane qytetarëve të vetë atje. Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat të Shqipërisë për të drejtën e pronës. A i keni parë videot dhe fotot, si policë privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome, rrahin banorët tamam si gardianët islamikë. Askush prej jush nuk ka folur për këtë.
Nëse ne do të ishim vërtet një vend afër Perëndimit, nuk do vendosnim mbrojtje politike siç bëtë me zonjën Balluku. Shqipëria sot është më larg Perëndimit se asnjëherë më përpara, dhe kjo bëhet për fatin politik të Edi Ramës që ka vendosur që integrimi të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi. Dhe kjo është fatkeqësia juaj si mazhorancë.