Kapri: Kam dorëzuar projektligjin që u mundëson të rinjve lëvizjen me monopatina, nuk kam akoma asnjë përgjigje

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka shprehur shqetësimin në lidhje me punën e Kuvendit dhe moskthimin e përgjigjeve për projektligjet që ka depozituar.

Ai tha se në fillim të dhjetorit të vitit 2025 ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për disa ndryshime në Kodin Rrugor, që u mundëson të rinjve të lëvizin me monopatina, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje se kur ky projektligj do të futet në rendin e ditës.

“Mënyra se si e bëni kalendarin është se i trajtoni disa si të nënës e disa si të njërkës. Ju kujtoj që në fillim të dhjetorit kam dorëzuar në Parlament disa ndryshime të Kodit Rrugor që mundëson të rinjtë shqiptarë të lëvizin me monopatina siç lëvizin dhe të rinjtë në Europë. Nuk ka asnjë përgjigje. Nuk e dimë kush e vendos rëndësinë e projektligjeve në radhë për t’u diskutuar”, tha Kapri.

Ai gjithashtu denoncoi faktin se edhe institucionet që e kanë detyrë t’i përgjigjen Kuvendit, nuk kthejnë përgjigje. Kapri tregoi se prej më shumë se 3 muajsh i ka kërkuar informacion Bankës së Shqipërisë në lidhje me skandalin e mikrokredive, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Edhe unë kam 3 muaj e gjysmë që kam kërkuar informacion në Bankën e Shqipërisë për skandalin e mikrokredive dhe nuk kthejnë përgjigje. E njëjta gjë vlen edhe për interpelancat. Kam kërkuar interpelancë me ministren e Arsimit për dhunën ën shkolla dhe nuk kam përgjigje. Ka një rregullore që kërkon 3 javë të bëhet, pikërisht se interpelanca ka të bëjë me aktualitetin”, u shpreh ai.