“Ka diell për të gjithë”, fjalimi i rrallë i Pjetër Arbnorit në seancën e parë pas 50 vitesh diktaturë

“22 Marsi 1992 qe një festë e trefishtë. Erdhi pranvera, erdhi demokracia dhe pas një thatësire të gjatë reshi një shi i butë, i bekuar që këndelli bimësinë në fushë e në mal, duke shpëlarë njëherësh edhe murtajën komuniste. Pas gjysmë shekulli harrese nga bota, ne i kthyem sytë nga Zoti dhe Zoti na pa me dritën e vet”, është një pjesë e cituar nga Pjetër Arbnori në fjalimin e  seancës së parë pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit, ku Partia Demokratike fitoi shumicën për të qeverisur Shqipërinë pas 50 vitesh në diktaturë.

Arbnori u zgjodh të drejtonte seancën e parë si deputeti më i moshuar. Po atë ditë ai do të zgjidhej kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për të qëndruar në atë post me dinjitet për rreth 5 vite.

Me optimizëm për një rrugë të re ku kishte hyrë Shqipëria, Arbnori flet me besim për një të ardhme drejt demokracisë, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm momentin e parë të ndërrimit të sistemit pa gjakderdhje.

Në atë fjalim, Pjetër Arbnori përcjell shpresën e madhe për një Shqipëri demokratike që ishte projektuar nga Partia Demoratike, e cila fitonte për herë të parë zgjedhjet në Shqipëri, pas një mungese të gjatë të alternativave nga forca të ndryshme politike prej PPSH-së.

Pjetër Arbnori

Fjala hapëse e seancën së parë parlamentare më 04.04.1992

Zonja dhe zotërinj,  Të nderuar të ftuar,

Nderin e madh për të hapur punimet e parlamentit të Parë Demokratik të pasluftës, unë nuk e quaj se më bëhet mua, por të gjithë demokratëve që kanë vuajtur burgjeve, internimeve e mërgimeve, të gjithë të përndjekurve, të gjithë martirëve të epokës më të errët që kaloi atdheu ynë.

Në emër të nënave e motrave tona, që jetuan me trishtim, në emër të fëmijëve tanë të rritur me të keq, falënderoj demonstruesit e parë, falënderoj studentët që dhanë shkëndijën e demokracisë.

22 marsi qe një festë e trefishtë. Erdhi pranvera, erdhi demokracia dhe pas një thatësire të gjatë reshi një shi i butë, i bekuar që këndelli bimësinë në fushë e në mal, duke shpëlarë njëherësh edhe murtajën komuniste. Pas gjysmë shekulli harrese nga bota, ne i kthyem sytë nga Zoti dhe Zoti na pa me dritën e vet. Pas fitores së madhe të demokracisë asgjë e tmerrshme nuk ndodhi, asgjë nuk do të ndodhë. Populli ynë u tregua i pjekur, i matur dhe e kaloi këtë pikë kthese me një qetësi të admirueshme. Kjo qe fitorja e të gjithëve, edhe e atyre që kujtonin se kanë humbur. Shpejt ata do ta kuptojnë se ka diell për të gjithë, se do të jenë më të lirë në demokraci sesa në regjimin e vet, mjaft që t’i nënshtrohen Ligjit dhe të mos kërkojnë privilegje. Nuk ka ndodhur më kot që kombi shqiptar ka mbijetuar në shekuj. Shpirti i tij i madh ka ditur t’i bëjë ballë me durimin e Jovit sëmundjeve të njëpasnjëshme dhe të dalë i ripërtërirë. Le t’i vërtetojmë botës se jemi një komb që meriton të përkrahet pas një paralize të gjatë. Evropa dhe bota e qytetëruar do të shikojnë se sa shpejt do t’i heqim patericat dhe do të ecim në një hap me to. Populli ynë nuk është lypës, ai ka nder dhe dinjitet. Atij nuk i ka munguar zelli për punë. I ka munguar vetëm liria. Parlamentit tonë i bie barra që në vend të antishtetit të ndërtojë një shtet juridik, një shtet ku dimensionet e lirisë njerëzore të përputhen me kartën e Helsinkit dhe të Parisit. Parlamenti duhet të udhëhiqet nga toleranca, kundër ndjenjës së hakmarrjes, kundër revanshit. Mjaft nëna janë veshur me të zeza deri sot. Duhet të punojmë që rrobat e zisë të mos i veshin nënat e tjera. Është fat i madh që parlamenti i parë demokratik është i larmishëm, është fat edhe më i madh që në parlament ekziston një opozitë. Do të ishte fatkeqësi kombëtare që partia fitimtare t’i merrte të gjitha votat, të mbetej pa kundërshtarë. Atëherë ajo do të ishte kundërshtare e vetvetes. Opozita duhet të luajë rolin e pasqyrës ndaj partisë së shumicës. Sa më e lëmuar të jetë pasqyra, aq më besnik do të jetë shëmbëllimi. Kjo është në dobi të të dyja palëve. Kështu dhe opozita mund të ndihmojë konkretisht që Parlamenti të ecë në rrugë të mbarë për të mirën e kombit dhe të demokracisë.

Parlamenti ynë duhet të ecë me traditën demokratike të periudhës së 1920-1924, në vazhdën e demokratëve të mëdhenj Noli, Gurakuqi e Prishtina, të ecë në traditën e demokracive të mëdha perëndimore, që kanë provuar se liria dhe përparimi janë një binom i pandarë. I uroj Parlamentit të ri punë të mbarë në krijimin e shtetit juridik modern sipas standardeve të sotme, si kusht për të vendosur rendin dhe qetësinë për t’i hapur rrugën progresit ekonomik e shoqëror, bashkimit me Evropën, për të zgjidhur çështjen kombëtare në bazë të frymës së Helsinkit dhe të Parisit.