“Ju këtu shisni edhe pjeshka”, komenti seksist i Skënder Gjinushit në Komisionin e Edukimit

Në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dje u miratua projektligji për Akademinë e Shkencave që i lejon Skënder Gjinushit të kandidojë përsëri në krye të këtij institucioni.

Por gjatë mbledhjes pati përplasje, pasi ish politikani Gjinushi tha një shprehje që nxiti irritimin e kryetares së komisionit Flutura Açka.

“Ju këtu shisni edhe pjeshkë” është shprehur Gjinushi ndërsa pas këmbënguljes së Açkës për ta përsëritur edhe njëherë me mikrofon ai nuk ka pranuar, megjithatë diskutimi është dëgjuar.

Deputetja e PD, Flutura Açka ka bërë një reagim në rrjetet sociale që e shoqëron me videon ku ka debatuar me Skënder Gjinushin.

E kishte fjalën për bahçen e Parlamentit, ku si specialist i frutikulturës politike, e ka shëtitur plot dyzet vite. Ah të ketë gojë humusi i kësaj toke të mbarë politike të flasë”, është shprehur ndër të tjera Açka, ndërsa u ka kërkuar grave të parlamentit të mos e votojnë, sidomos pas këtij komenti seksist.

Reagimi i Flutura Açkës

Skënder Gjinushi sot në bahçen e pjeshkëve

“Ju këtu shisni edhe pjeshkë,” tha Skënder Gjinushi (Kryetar i Akademisë së Shkencave!!!), në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mbetet e Informimit Publik më datë 11 korrik 2023.

Ishte nervoz se po i rrezikohej mandati dhe duhej të matrikullonte me saktësinë e sarkazmës së tij mushtore, punistët, gratë e bindura dhe shqytarët e oligarkëve në Komision, që të mund të ngrinte më pas në bashkëpunim me drejtuesit e Parlamentit kurthin e djeshëm: të zgjaste mandatin e tij.

“Ju këtu shisni edhe pjeshkë!”. E kishte fjalën për bahçen e Parlamentit, ku si specialist i frutikulturës politike, e ka shëtitur plot dyzet vite. Ah të ketë gojë humusi i kësaj toke të mbarë politike të flasë!

Zoti Gjinushi ka shumë të drejtë, do të marrë mandat të ri në Parlament, siç mori ilegalisht dhe në shkelje të plotë të ligjit në Komisionin e turpshëm të djeshëm.

O zonja të Parlamentit, o gra të trembura, do ta votoni ju këtë burrë si drejtuesi i Akademisë së Shkencave sot pas këtyre fjalëve për ju!

Do ta votoni ju zonja, vërtet? Do ta votoni ju, zonja Nikolla?! Ju, gruaja që drejtoni Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe ku i kanë sytë mijëra gra shqiptare?! Ç’model do t’u jepni sot ju atyre grave duke votuar këtë seksist me pushtet?

Nëse po, mos dilni më të flisni për të drejtat e grave, për barazinë gjinore, mos dilni më të shisni moral kur votoni qesëndisjen tuaj nga një gojë që ju ka tallur ju, edhe ne të gjitha, zonjat e Parlamentit!

Dëgjojeni vetë, nuk guxoi ta përsërisë fjalën me mikrofon të hapur. 👇🏽👇🏽👇🏽