Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur “diktator” kreun e shetit kinez Xi Jinping gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje për mbledhje të fondeve në Kaliforni. Kjo deklaratë e presidentit amerikan vjen një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua me liderin kinez në Pekin për bisedime, ku nënshkroi marrëveshje dypalëshe e pohoi se SHBA-ja nuk kërkon shkëputjen e Tajvanit.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e cila i quajti komentet e Bidenit “qesharake”.
“Deklaratat e palës amerikane janë krejtësisht të papërgjegjshme, ato cenojnë rëndë faktet bazike, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës. Ne i konsiderojmë një provokim të hapur politik”, tha Mao Ning.
Në një mbledhje fondesh mbrëmjen e së martës, Biden u shpreh se presidenti kinez ishte vënë në siklet për incidentin e balonës kineze të cilësuar nga amerikanët si mjet spiunazhi.
“Arsyeja pse Xi Jinping u mërzit shumë, për sa i përket rrëzimit të asaj balone me dy kuti plot me pajisje spiunazhi brenda, ishte se ai nuk e dinte se ajo ishte aty. Ky është një siklet i madh për diktatorët. Kur ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Vizita e Blinkenit në Pekin, e para nga një diplomat i lartë amerikan në pothuajse pesë vjet, rinisi praktikisht komunikimin e nivelit të lartë mes dy vendeve, ndërsa synonte zbutjen e tensioneve mes dy superfuqive të botës. Por shpresat u shuan pas deklaratave të reja nga të dyja palët.