Nga Tony Wilmott “History Extra”
Në vitin 1993, arkeologët austriakë që po kryenin gërmime në qytetin e lashtë romak të Efesit në Turqi, bënë një zbulim spektakolar:një varrezë gladiatorësh. Në gurët e varreve ishin shkruar emrat e tyre, teksa tregoheshin me figura të gdhendura pajisjet e tyre:helmetat, mburojat dhe gjethet e palmave që merrnin kur fitonin.
Ndërkohë brenda varreve u gjetën mbetjet skeletore të vetë luftëtarëve. Shumë prej tyre kishin shenja plagësh të shëruara, por edhe plagë të mëdha që shkaktuan vdekjen e tyre. Gjetja ndoshta më spektakolare, ishte një kafkë e shpuar nga 3 vrima të njëjta.
I ndjeri ishte vrarë nga një heshtë me 3 maja, që zakonisht përdorej nga një lloj gladiatori i quajtur retiarius. Bashkë me të përdorte ai edhe një rrjetë, me të cilën synonte të neutralizonte veprimet e kundërshtarit në arenë.
Gladiatori ka qenë prej kohësh një simbol ikonë i Romës së lashtë, por edhe një element popullor në çdo film epik mbi Romën e Lashtë. Por çfarë dimë në të vërtetë mbi jetën dhe vdekjen e këtyre njerëzve? Deri në zbulimin e qyteteve rreth e rrotull malit vullkanik Vezuv në shekullin XVIII, Pompei dhe Herkulaneum, gati gjithçka që dinim mbi gladiatorët vinte nga referencat në tekstet e lashta, nga gjetjet e rastësishme të skulpturave, si dhe nga mbishkrimet në gurë dhe strukturat mbresëlënëse të amfiteatrove të vendosura në të gjithë hapësirën e Perandorisë Romake.
Zbulimi në vitin 1764 i një tempulli në Pompei, konfirmoi praktikimin e feve misterioze dhe ezoterike lindore. Dy vjet më vonë, në dhomat përreth oborrit të teatrit, u gjetën një numër skeletesh, bashkë me një numër të madh armaturash që i përkisnin gladiatorëve, duke i identifikuar dhomat si kazermë gladiatorësh.
Gladiatorët ndaheshin në disa kategori, ku secili ishte i armatosur dhe veshur në mënyrë karakteristike. Më pas ata caktoheshin të ndesheshin kundër njëri-tjetrit, në çifte të dizajnuara enkas për të treguar një shumëllojshmëri formash luftimi.
Çdo lloj pajisje, siguronte nivele të ndryshme mbrojtje për trupin, duke i dhënë qëllimisht kundërshtarit mundësinë për të synuar pika specifike e të cenueshme të rivalit. Të gjitha kategoritë e gladiatorëve, mbanin një këllëf dhe rrip të gjerë në brez.
Krahasuar me shumicën e provincave të tjera të Perandorisë Romake, Britania Romake ka çuditërisht pak prova për aktivitetin e gladiatorëve. Kjo mund të shpjegohet me dallimet midis amfiteatrove të lashta të Britanisë. Ato që janë të vendosura në kështjellat legjionare të Çesterit dhe Kerleonit u ndërtuan në vitet 70 të erës sonë për t’iu shërbyer legjionarëve, që ishin qytetarë-ushtarë të Romës.
Amfiteatrot e legjionarëve ishin të ndërtuara me gurë, si shumë objekte të tjera në mbarë perandorinë. Por ka të dhëna se ato përdoreshin rrallë, dhe duket se popullsia vendase nuk e përqafoi plotësisht konceptin mesdhetar të lojërave romake. Megjithatë, ka prova për praninë e gladiatorëve.
Në vitin 1738, një reliev guri u gjet pranë amfiteatrit Çester. Ai tregon një gladiator që e mban armën me dorën e majtë. Ndërkohë në Kerleon, një mbishkrim tjetër mbi një gur, tregon një tjetër përshkrim të një përleshjeje gladiatorësh në arenë.
Shfaqjet me gladiatorë organizoheshin gjithmonë nga qytetarë më të shquar, shpeshherë për të përmirësuar karrierën e tyre politike, duke fituar mbështetjen e elektoratit. Kështu, muret e Pompeit janë të gdhendura me slogane elektorale, krahas reklamave për spektakle gladiatorësh.
Një nga shembujt e shumtë, i gjetur pranë forumit, thotë:”Trupa gladiatorësh e Aulus Suetius Sertus do të ndeshet në Pompei më 31 maj. Do të ketë gjueti dhe bankete. Fat të mbarë për të gjithë në lojërat Neroniane”.
Ka pak dyshime mbi popullaritetin e këtyre luftimeve. Edhe varret janë të mbuluara me mbishkrime që tregojnë rezultatet e ndeshjeve të veçanta. Një karikaturë e dy gladiatorëve që luftojnë në Nola-n fqinje titullohet “Markus Atius, fillestar, fitimtar; Hilarius, Neronian, u ndesh 14 herë, korri 12 fitore, në fund iu kursye jeta “.
Ky fakt flet shumë. Atius mundi papritur një veteran, por si në shumicën e luftimeve të regjistruara në Pompei, humbësit iu kursye jeta. Të qenit gladiator, nuk ishte një dënim automatik përmes një vdekje të dhunshme. Personi që financonte lojërat, do të porosiste një trupë gladiatorësh të drejtuar nga një pronar/trajner (lanista).
Një i tillë, i regjistruar në mbishkrimet pompeiane ishte Marksus Mesonius. Ai do të merrte gladiatorë nga tregu i skllevërve. Ligjërisht, gladiatorët renditeshin në shkallaren më të ulët të shoqërisë romake. Por një gladiator i stërvitur, ishte një mall i vlefshëm për një lanista. Ai përfaqësonte një investim të konsiderueshëm kohe dhe parash, prandaj dhe do të ishte në interesin e tij që të kujdesej për ta, dhe të minimizonte shkallën e vdekjes së tyre. Raporti midis perandorit dhe arenës së gladiatorëve ishte shumë kompleks. Ata mund të fitonin një imazh të keq nëse shfaqeshin shumë entuziastë për spektakle të tilla.
Për shembull, perandori Klaud kishte zakon t’i vëzhgonte me vëmendje fytyrat e gladiatorëve teksa vdisnin, duke qenë pro vrasjes së gladiatorëve pa helmetë. Një përbuzje të veçantë publike, kishte për ata perandorë që zgjidhnin të luftonin vetë si gladiatorë në arenë, si për shembull Kaligula.
Gjithsesi më i famshmi për paraqitjet e tij në arenë ishte Komodo. Ai luftonte si mbulues u krahëve për të tjerët, dhe ishte Skaeva, mëngjerash. Sipas historianit Dion Kasi, ai e zëvendësoi kokën e Kolosit nga Koloseu me të tijën. Urdhëroi që statuja të dukej si Herkuli (figurë mitologjike me të cilin ai identifikohej).
Ndërkohë Aurel Viktori tregon një histori, ku Komodo refuzon të luftojë një gladiator në arenë. Sepse atë ditë po ndeshej një gladiator me emrin Skaeva. Ndoshta perandori kishte frikë se mos humbiste avantazhin e tij të zakonshëm natyror, në përleshje me një njeri që si ai ishte mëngjarash.
Në vitin 192 Pas Krishtit, duke synuar të poshtonte konsullatën e Romës nën maskën e gladiatorit, ai u mbyt nga një atlet. Një grafit që ndodhet sot në Muzeun e Napolit në Itali, na jep rezultatet e një ndeshjeje të ndodhur në Mesonius. Nga 18 gladiatorë që luftuan atë ditë, dimë se pati 8 fitues, 5 të mundur dhe të liruar dhe 3 të vrarë.
Ky lloj raporti mund të jetë tipik, duke pasur parasysh shënimet në mbishkrime dhe mbi gurët e varreve. Analizat mjeko-ligjore mbi skeletet e gladiatorëve të Efesit, ofruan njohuri befasuese mbi mënyrën se si jetuan dhe vdiqën ata burra. Nga 68 skeletet e gjetura, 66 u përkisnin meshkujve të rritur në të 20-at.
Një program rigoroz stërvitjeje u dëshmua nga shenjat e muskujve të zgjeruar në krahë dhe këmbë. Ata ishin burra të fortë, me trupa atletikë, dhe me një dietë ushqimore që dominohej nga drithërat dhe bishtajoret, ashtu siç raportohet edhe në tekstet klasike. Megjithatë, përveç muskujve të bëshëm dhe rezistencës fizike, gladiatorët kishin nevojë për një shtresë të mirë dhjami që t’i mbronte ata nga prerjet e armëve.
Skeletet e Efesit, zbuluan prova edhe për trajtim të mirë mjekësor. Në trupa u gjetën shumë plagë të shëruara mirë, përfshirë 11 plagë në kokë, një krah të thyer dhe një prerje të këmbës nga ndonjë mjek profesionist i kohës. Nga ana tjetër, në 39 raste të tjera, u zbulua nga një plagë e vetme e shkaktuar në ose rreth kohës së vdekjes.
Kjo sugjeron se ata burra nuk vdiqën nga plagët e shumta, por nga një plagë e vetme. Dhe siguron prova të mëtejshme për zbatimin e rregullave strikte në arenë dhe dhënien e goditjes fatale. Në fundin e një ndeshje, një gladiator i mundur duhej të priste vendimin nëse do të jetonte apo vdiste, dhe ky vendim merrej nga organizatori i lojërave.
Nëse do të vendosje për vdekjen, pritej që gladiatori ta pranonte atë me qetësi. Ekzekutimi do të ndodhte shumë shpejt dhe pa shumë vuajtje. Por Ciceroni shkruan:”Edhe gladiatori më i fortë rënkon ndonjëherë, ose e ndryshon shprehjen e fytyrës së tij. Dhe në fakt cili prej tyre nuk dridhet kur urdhërohet goditja fatale?”.