Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Në vend të saj është emëruar Igli Tafa, i cili mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).
Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet nga SPAK për veprat penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimit të SPAK, një grup personash kanë vepruar në bashkëpunim për të kontrolluar procedurat e prokurimit në AKSHI, duke paracaktuar fituesit e tenderëve dhe duke ndërtuar kritere përjashtuese për operatorët ekonomikë që nuk ishin pjesë e skemës.
Lexo edhe: 4 SERITË e dosjes së AKSHI-t
Sipas SPAK, bizneset që kanë ushtruar të drejtën ligjore të ankimit ndaj procedurave të prokurimit të AKSHI-t janë identifikuar shpejt nga grupi i strukturuar kriminal si “rrezik” për vazhdimësinë e skemës. Në vend që ankesat të përballeshin në rrugë institucionale, mekanizmi kriminal ka zgjedhur rrugën e frikësimit. Kërcënimet kanë pasur për qëllim të qartë të detyronin operatorët ekonomikë të tërhiqeshin nga procedurat e ankimit dhe të hiqnin dorë nga çdo përpjekje për të ndjekur çështjen ligjërisht.
Në aktet procedurale përmenden episode konkrete ku përfaqësues të bizneseve, si rasti i Gerond Meçes, janë ndaluar kundër vullnetit të tyre, janë izoluar përkohësisht dhe janë vënë nën presion psikologjik për të nënshkruar deklarata tërheqjeje ose për të mos vijuar më tej me ankimet pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Këto veprime, sipas SPAK, nuk kanë qenë të shkëputura, por pjesë e një strategjie të mirëorganizuar për të garantuar mbylljen e çdo rruge ligjore që mund të cenonte interesat e grupit.