Zhvlerësimi i Euros po falimenton bizneset e prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë. Shoqatat e biznesit kanë dalë sot në një deklaratë për mediat ku kanë paralajmëruar falimentin pasi siç janë shprehur janë në limitet e ekzistencës së tyre.
Zhvlerësimi i monedhës evropiane i dëmton shumë ata, pasi vetëm nga kursi i këmbimit bizneset e fasonëve kanë humbur 9 milionë euro.
Euro është zhvlerësuar vazhdimisht gjatë këtij viti duke arritur në nivelet historike më të ulëta ndonjëherë, pasi është barazuar me lekun. Sipas shoqatës së eksportuesve, ekspertët që ngarkohen nga institucionet për situatën, janë të papërgjegjshëm dhe nuk kanë vetëdije të plotë mbi katastrofën ekonomike që po sjell mbiçmimi i pakontrolluar i lekut dhe në vend të bëjnë më mirë, ata japin këshilla të gabuara. Gjithashtu bizneset kanë kërkuar që Banka e Shqipërisë të përmbushë detyrat ligjore për ecurinë e këmbimit valutor.
“Jemi në fazë të keqe, kërkojmë uljen dhe bisedimin me qeverinë. Pas zgjedhjeve nuk ka një reagim të duhur. Ne nuk kemi ardhur këtu për ta politizuar. Të gjithë bizneset eksportues, ne i bëjmë thirrje qeverisë që në rast se nuk caktohet një normë fikse, do kërkojmë dhe do zbresim para kryeministrisë në një protestë për të kërkuar që duhet ulur e për të mos na lënë në dorën e rënies së lirë. Por është fakt që nuk ka pasur një progres, ndërsa regresi I kompanive eksportuese deri në faliment është realitet që përkeqësohet përditë. Tashmë pasojat tepër të renda nga mbiçmimi I lekut me kursin e këmbimit po shfaqin efektet e para. Në tërësi në ekonomi, humbje dyshifrore prej disa muajsh radhazi po japin efekte drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, që të ardhurat I kanë nga remitancat, jo pak nga ata që I kanë kredi për shtëpi në euro.Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit. Jemi këtu sot për të deklaruar publikisht se bizneset eksportuese por edhe ato prodhuese janë në limitet e rezistencës ekonomike e financiare të tyre. Po ashtu janë prodhuar dëme, pasojat e të cilave do të ndihen në muajt në vijim, por nëse zgjidhja e situatës nuk do të bëhet menjëherë pasojat afatgjata ekonomike dhe sociale do të jeën shumë të renda dhe buxheti I shtetit dhe ekonomia në tërësi do të ballafaqohet për ti kompensuar me buxhete shumë të të larta se sa ato që kërkon zgjidhja të menjëhershme”, tha Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar se do të ngrihen në protestë para Kryeministrisë nëse kjo situatë nuk zgjidhet.
Disa ditë më parë ministrja e financave Delina Ibrahimaj tha se shteti nuk mund të ndërhyjë për të stabilizuar euron pasi vlera e tij vendoset në tregun e lirë valutor.