Gazment Bardhi ka reaguar pasi Olsi Rama e kallëzoi në SPAK në lidhje me akuzat që deputeti demokrat hodhi në drejtim të tij, për përfshirje të tij në njohje dhe favorizim të grupit kriminal që kishte laboratorin e drogës në Xibrakë.
Në padi, Olsi Rama thotë se shpifja është bërë për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.
Por për Bardhin, ajo ishte një letër qesharake që doli pas 5 ditësh mendime, ndërsa shton se kjo tregon se Olsi Rama është në hall të madh. Bardhi rendit disa fakte që sipas tij inkriminojnë Olsi Ramën me laboratorin e kokainës në Xibrakë.
N reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat sfidon sërish kryeministrin Rama, të cilit i kërkon të mos fshihet pas vëllait më të vogël, por të tregojë në Parlament çfarë bënte Olsi Rama me makinën që përdorte grupi i kokainës. Thotë se kryeministri duhet ta harrojë se mund të bëjë me SPAK atë që bëri me Bardhi dy prokurorët që mbyllën sytë dhe dosjen në të kaluarën.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Të mendohesh 5 ditë për të bërë një letër qesharake si kjo e Edi/Olsi Ramës ndaj meje do të thotë se je në hall të madh!
Po! Nuk ka dy të vërteta! Ka vetëm një të vërtetë!
Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar kufirin 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës.
Fakti 2. Është fakt, jo sajesë politike, se nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.
Fakti 3. Është fakt dhe jo sajesë politike se policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Olsi Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.
Fakt 4. Policia dhe Prokuroria sipas gjykatës kanë kryer hetime të mangëta dhe kanë lënë në harresë dosjen 335/1-2016 që kishte si qëllim të identifikonte bashkëpunëtorët e tjerë të grupit kriminal.
Nga ana njerëzore, ndiej keqardhje për Olsi Ramën. I vëllai, për të shpëtuar nga përgjegjësia, po e përdor edhe atë si çdo bashkëpunëtor që ka keqpërdorur dhe e ka hedhur më pas prapa hekurave!
Politikisht, kam një kërkesë për Edi Ramën! Mos u fshih pas vëllait më të vogël! Në parlament të enjten ke gjithë kohën për të treguar çfarë bënte yt vëlla me makinën që përdorte grupi i kokainës! Harroje se mund të bësh edhe me SPAK siç bëre me dy prokurorët që mbyllën sytë dhe dosjen bashkë me sytë!