Japoni është goditur rëndë nga një tërmet me magnitudë 7.5 ballë, i cili tronditi rajonin verilindor të vendit, duke lënë të paktën mbi 30 persona të plagosur dhe duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e më shumë se 114 mijë banorëve.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua në orën 23:15 me orën lokale, rreth 70 kilometra larg bregut verilindor të Japonisë dhe në një thellësi prej afërsisht 53 kilometrash. Lëkundjet u ndjenë qartë edhe në Tokio, më shumë se 600 kilometra larg epiqendrës, ku u raportua se dridhjet zgjatën mbi 30 sekonda.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) paralajmëroi se ekziston një mundësi, edhe pse vetëm 1%, që gjatë kësaj jave të ndodhë një tërmet edhe më i fuqishëm, me magnitudë 8 apo më shumë.
Menjëherë pas tërmetit, JMA lëshoi paralajmërim për cunami për brigjet e Hokkaido-s, Aomorit dhe Iwates. Fatmirësisht, dallgët ishin më të ulëta se sa pritej, 70 centimetra në portin Kuji të Iwates dhe rreth 40 centimetra në Aomori e Hokkaido.
Kryeministrja Sanae Takaichi konfirmoi se të paktën 30 persona janë plagosur dhe paralajmëroi për mundësinë e pasgoditjeve të forta. Shefi i kabinetit, Minoru Kihara, bëri të ditur se në prefekturën Aomori janë raportuar zjarre dhe dëmtime, ndërsa ka ndërprerje të energjisë në Aomori dhe Iwate.
Po ashtu, është pezulluar qarkullimi i trenave me shpejtësi të lartë mes Fukushimës dhe Aomorit, ndërsa disa seksione të autostradave mbeten të mbyllura.
Kihara njoftoi se aktualisht nuk ka raportime për anomali në termocentralet bërthamore Higashidōri dhe Onagawa, ndërsa verifikimet në objektet e tjera janë në proces.
Japonia ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit”, zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Tërmeti më i rëndë në historinë moderne të vendit është ai i vitit 2011, me magnitudë 9.1, që shkaktoi cunamin katastrofik dhe krizën bërthamore në Fukushima, ku humbën jetën apo u zhdukën mbi 22 mijë persona.