Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate dhe përplasje mes palëve.
Zëvendësministri Besfort Lamallari ka deklaruar se “është krenar” që në vendin tonë parandalohen ngjarjet dhe zbatohet ligji. Por deputeti i PD Asllan Dogjani dhe deputetja Dhurata Çupi i janë kthyer kundër duke i thënë se ai nuk ishte në kafe dhe nuk kishte ardhur në mbledhje për të shprehur mendimin e tij por për të folur me statistika. Sidomos në ditë si këto kur kanë ndodhur kaq vrasje.
Deputetët e opozitës i kujtuan Lamallarit se një fëmijë 13 vjeç u plagos në derën e shtëpisë mbrëmjen e kaluar ndërsa një 29 vjeçar u vra si dhe pak ditë më parë babë e bir humbën jetën në Dukagjin pasi iu bë pritë me armë. Megjithatë përfaqësuesi i Ministrisë vazhdoi dhe këmbënguli për krenarinë e tij dhe punën dinjitoze që sipas tij ka bërë fuqia e ligjeve dhe zbatimi i tyre.
Pjesë nga debati:
Lamallari: Përsa kohë unë jam në atë institucion, prej 6 vitesh, faktet janë fakte. Janë dhe institucionet zbatuese, kemi dhe drejtori që përkujdesen për parandalimin dhe zbatimin e ligjit, siç është dhe ISHP. Jam krenar dhe e them me përgjegjësi. Nuk mohojmë se s’do ketë asnjëherë.
Çupi: Për ça është krenar? Vrasje e krime përditë. Është e papranueshme, mes mund të thotë ai ashtu. Nuk jemi në kafe këtu që të japë mendim. Ai është përfaqësues i ministrisë dhe ka detyrimin të japë shpjegime.
Dogjani: Ça krenarie?? Të vritesh në shtëpi…apo si në rastin e 13-vjeçarit që vritet te dera e shtëpisë? Që vriten dy veta në Dukagjin? Ju të vini këtu dhe të thoni; situata nuk është mirë. Këtu duhet të dihet se çfarë kërkon qytetari shqiptar. Kërkojmë të jemi të sigurt në shtëpitë tona. Po pihet drogë në shkolla. Flas si qytetar. Më vjen keq që vini këtu dhe thoni; jam krenar që pihet drogë dhe që vritet.
Bushka: Mos paragjykoni dhe nxirrni fjalët nga konteksti.