Izraeli ka kryer një sërë sulmesh ajrore të fuqishme mbi kryeqytetin sirian, Damask, në kuadër të një fushate që, sipas autoriteteve izraelite, synon të mbrojë pakicën arabe druze e cila ndodhet në qendër të përplasjeve të dhunshme me forcat qeveritare siriane.
Një video e transmetuar nga një kanal televiziv sirian tregon momentin kur godina e Ministrisë së Mbrojtjes në Damask goditet drejtpërdrejt gjatë transmetimit, duke detyruar gazetarin të strehohet për siguri.
Në një konferencë për shtyp, një zyrtar i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmoi se objektivat ishin godina e ministrisë dhe një zonë pranë pallatit presidencial.
Të paktën 13 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet, njoftoi Ministria siriane e Shëndetësisë për CNN.
Izraeli ka kryer sulme të vazhdueshme ajrore në Siri, si pjesë e angazhimit të tij për të mbrojtur komunitetin druza, një pakicë arabe e përfshirë në përleshje të ashpra me forcat pro-qeveritare në qytetin jugor sirian të Suwayda.
Përplasjet shpërthyen gjatë fundjavës mes forcave druze dhe fiseve beduine në Suwayda, duke çuar në ndërhyrjen e forcave të regjimit sirian.
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar situatën si “shqetësuese,” sipas të dërguarit të posaçëm amerikan për Sirinë, Tom Barrack, i cili raportohet se i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë sulmet.
Megjithatë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi të mërkurën se fushata është thelbësore për të “parandaluar dëmtimin e komunitetit druza” dhe për të mbrojtur kufirin jugor të Izraelit.
“IDF do të vazhdojë të veprojë me forcë në Suwayda për të shkatërruar forcat që sulmuan druzët, deri në tërheqjen e tyre të plotë,” tha Katz.
Ai shtoi se “për vëllezërit tanë druza në Izrael mund të mbështeteni tek Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për të mbrojtur vëllezërit tuaj në Siri. Kryeministri Netanyahu dhe unë kemi dhënë një premtim dhe do ta mbajmë atë.”
Më herët gjatë ditës së mërkurë, IDF njoftoi se kishte goditur hyrjen e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes në Damask.