Forcat izraelite kanë ndaluar një anije ndihmash që po lëvizte drejt Gazës, duke arrestuar aktivisten suedeze Greta Thunberg, eurodeputeten franceze Rima Hassan dhe një grup aktivistësh të tjerë ndërkombëtarë.
Anija “Madleen”, pjesë e koalicionit Freedom Flotilla, synonte të dorëzonte ndihma humanitare në Rripin e Gazës, ku mbi 600 ditë lufte dhe një bllokadë 11-javore izraelite kanë përkeqësuar krizën humanitare për 2.1 milionë banorë.
Koalicioni Freedom Flotilla (FFC) akuzoi ushtrinë izraelite për një “sulm të paligjshëm në ujërat ndërkombëtare” dhe për “konfiskimin” e anijes. Ministria e Jashtme izraelite publikoi një video ku shfaqen anëtarët e ekuipazhit të ulur me jelekë portokalli shpëtimi, ndërsa një ushtar u shpërndan ujë dhe ushqim të paketuar.
Koalicioni FFC raportoi se anija ishte rrethuar nga dronë që spërkatnin substanca të bardha, ndërsa komunikimi ishte ndërprerë dhe transmetoheshin zëra shqetësues përmes radios. Në një transmetim nga bordi i anijes, aktivistja Yasmin Acar tregoi substancën e bardhë të hedhur në kuvertë, duke thënë se po i shkaktonte djegie në sy.
Në pamundësi për të komunikuar me anijen, FFC publikoi video të regjistruara më parë nga Thunberg dhe të tjerët. “Nëse e shihni këtë video, do të thotë se jemi ndaluar dhe rrëmbyer në ujërat ndërkombëtare nga forcat pushtuese izraelite,” u shpreh Thunberg.
“Izraeli nuk ka asnjë autoritet ligjor për të ndaluar vullnetarë ndërkombëtarë në bordin e ‘Madleen’-it,” tha avokatja për të drejtat e njeriut, Huwaida Arraf.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se kishte urdhëruar ushtrinë të pengonte çdo përpjekje për të thyer bllokadën dhe e përshkroi anijen si një “jaht selfi” me “personazhe të njohur”. Ai deklaroi më vonë se pas mbërritjes së aktivistëve në portin Ashdod, atyre do t’u shfaqen pamje të sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
Ndërkohë, Hamasi kërkoi lirimin e menjëhershëm të aktivistëve dhe e quajti ndalimin e tyre “shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm ndaj vullnetarëve civilë me qëllime humanitare”.
Anija “Madleen”, e nisur nga Sicilia të premten, është pjesë e një përpjekjeje nga Koalicioni Freedom Flotilla për të thyer bllokadën izraelite të Gazës me mjete detare. Anija kishte publikuar vendndodhjen e saj përmes një gjurmuesi online, por sinjali u ndërpre të hënën në mëngjes, teksa anija ndodhej pranë brigjeve të Gazës.
Ndërkohë, kriza humanitare në Gaza po përshkallëzohet. Një raport i mbështetur nga OKB paralajmëroi se një në pesë persona rrezikon urinë. Që nga fundi i majit, Izraeli ka lejuar hyrjen e disa ndihmave, por organizatat thonë se kjo është shumë më pak se ndihmat që hynin përpara luftës.
Organizata të shumta humanitare kanë ngritur alarmin edhe për vdekjet e dhjetëra palestinezëve që përpiqen të marrin ndihma nga një sistem i ri shpërndarjeje, i mbështetur nga SHBA-të, i quajtur Gaza Humanitarian Foundation (GHF). OKB-ja e ka cilësuar këtë sistem si “kurth vdekjeje”.