Pas kërkimeve të kryera në një varrezë në pjesën lindore të qytetit të Gazës, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se është gjetur dhe identifikuar trupi i rreshterit të parë Ran Gvili.
Sipas deklaratës zyrtare, përfaqësues ushtarakë kanë informuar familjen e tij se trupi do të transferohet në Izrael, ku do të kryhet ceremonia e varrimit.
Ran Gvili ishte pengu i fundit që rezultonte i zhdukur që nga sulmi i 7 tetorit 2023, kur Hamasi ndërmori një sulm në jug të Izraelit, duke vrarë qindra persona dhe duke rrëmbyer 251 pengje. 24-vjeçari ishte vrarë teksa mbronte Kibbutz Alumim.
Duke folur për gazetarët në Knesset, kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi kthimin e trupit të rreshterit të parë si një “arritje të jashtëzakonshme për Izraelin”. Ai deklaroi se “premtuam – dhe unë personalisht – se do t’i sillnim të gjithë mbrapsht dhe i sollëm të gjithë, deri tek i fundit”.
Kryeministri izraelit shtoi se Ran Gvili “është një hero i Izraelit”, duke theksuar se “hyri i pari dhe doli i fundit”.
Netanyahu u zotua të hënën se Izraeli është “tani në prag të fazës tjetër: çmontimi i aftësive ushtarake të Hamasit dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës. Faza tjetër nuk është rindërtimi”.
Një nga çështjet më të vështira me të cilat përballet faza e dytë, demilitarizimi i Hamasit, do të ndodhë “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”, tha Netanyahu.