Italia ashpërson masat për monopatinat, drejtuesit nuk mund të lëvizin pa targë dhe pa kaskë

Italia ka ashpërsuar rregullat sa u takon skuterave. Pas muajsh pritjeje, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka përcaktuar rregullat e reja për qarkullimin duke futur “targën” e detyrueshme, të lidhur jo me automjetin, por me drejtuesin e mjetit.

Targa e re do të jetë drejtkëndëshe (5×6 cm), me gjashtë karaktere të zeza alfanumerike në një sfond të bardhë reflektues. Ajo do të aplikohet në mënyrë të dukshme dhe të përhershme në monopatin, kryesisht në mbrojtësen e pasme, ose në mungesë të hapësirës së posaçme, në pjesën e përparme të drejtimit, në një lartësi midis 20 cm dhe 1.2 metra nga toka.

Në rast mungese të kësaj targe, do të aplikohen gjoba nga 100 deri në 400 euro, bëjnë me dije mediat italiane.

Po ashtu të gjithë drejtuesit e monopatinave duhet të vendosin kaskë në kokë, pavarësisht moshës. Gjithashtu duhet të lëvizin vetëm në rrugët urbane me një kufi shpejtësie prej 50 km/orë.

Ndryshe nga makinat dhe motoçikletat, targa nuk do të lidhet me automjetin, por me personin që e kërkon atë. Kjo për shkak se skuterat nuk janë të regjistruar në Arkivin Kombëtar të Automjeteve dhe nuk kanë numër shasie.

Qëllimi? Të identifikohen ata që shkelin rregullat dhe të sigurohet kompensim në rast aksidentesh.