ITALI/ Tërmet i fortë me magnitudë 6.2 ballë në Kalabri, lëkundjet u ndjenë në gjithë Italinë jugore

Një tërmet me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter goditi gjatë orëve të para të mëngjesit brigjet e Kalabrisë, në jug të Italisë.

Sipas Rrjetit Kombëtar Sizmik Italian, lëkundja sizmike u regjistrua në orën 00:12. Epiqendra ndodhej në det, rreth 20 kilometra në veriperëndim të bregdetit të Kalabrisë, pranë qytetit të Amanteas, në provincën e Kozencës.

Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) njoftoi se tërmeti ndodhi në një thellësi të konsiderueshme, rreth 250 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Megjithëse ishte një tërmet i thellë, lëkundjet u ndjenë gjerësisht, nga rajoni i Lazios në Italinë qendrore deri në Sicili. Sipas INGV-së, tërmete të tilla janë karakteristike për pjesën jugore të Detit Tirren dhe lidhen me procesin gjeologjik të nënzhytjes së pllakës jonike nën rajonin e Kalabrisë.

Edhe Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) e klasifikoi lëkundjen si të lehtë në sipërfaqe, duke theksuar se tërmetet e thella zakonisht shkaktojnë lëvizje më të dobëta në tokë krahasuar me ato të cekëta, por ndihen në një territor shumë më të gjerë.

Raportime për lëkundje kanë ardhur nga disa zona të Italisë jugore, përfshirë Napolin, Pulian dhe Bazilikatën.

Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile konfirmoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme në ndërtesa, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht.