Ish-presidenti Bamir Topi paraqitet në SPAK për çështjen “21 Janari”

Ish-presidenti Bamir topi është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

Ai do të pyetet si person në dijeni për protestën e 21 Janarit 2011, në të cilën u vranë 4 protestues. Çështja u gjykua disa vite më parë, por pas 14 viteve pa u zbardhur ngjarja, ishte Gjykata e Lartë, që pas vendimit të “Strasburgut”, urdhëroi SPAK-un të hetonte ngjarjen, pas insistimit edhe të familjarëve të Aleks Nikës.

SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Çfarë ndodhi më 21 janar

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë. Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion. Në video përgjim Ilir Meta kërkonte favore për tenderin e ndërtimit të një hidrocentrali. Aty përmendej shifra 700 mijë euro. Meta asokohe e quajti videon montazh të bërë nga krimi i Edi Ramës dhe fillimisht refuzoi të dorëhiqej.

Edi Rama kërkoi dorëheqjen e gjithë qeverisë Berisha-Meta që ai e quante të korruptuar. Ai thirri të gjithë popullin për një protestë më 21 janar. Protesta u zhvillua dhe qytetarët e indinjuar u përleshën me policinë. Ata tentuan të futeshin në KryeministriGarda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.