Ish-kryebashkiaku i Lezhës doli nga qelia prej Amnistisë, por Manja thotë se s’përfiton asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO

780 të burgosur që vuanin dënimin në burgje të ndryshme të vendit janë liruar nga qelia, pasi janë përfitues së Amnistisë Penale.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një deklarate jashtë burgut të Rrogozhinës ka thënë se nga lirimi i të dënuarve që përfitojnë nga Amnistia, kursehen 30 milionë euro nga buxheti i shtetit pasi vetëm për një të burgosur kostoja që i faturohet shtetit është 35.6 euro në ditë.

“Në këtë institucion është numri më i madh I të dënuarve që lirohen nga kjo amnisti. Në shkallë vendi në të gjitha burgjet do të lënë sot qelitë rreth 780 të dënuar. Kjo shifër pritet të rifreskohet. Mos harroni se kostoja e një të dënuari në ditë është 36.5 euro. Çfarë do të thotë se nga kjo amnisti buxheti i shtetit kursen 30 milionë euro”– theksoi ministri.

Ndërkohë Manja tha se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk ka përfituar nga Amnistia por kjo bie ndesh me vendimin e marrë për lirimin e ish-kryetarit të Lezhës Fran Frrokaj.

GJKKO e ka deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” duke i caktuar 2 vite burgim, por nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 1 vit dhe 4 muaj burgim.

“Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nënpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka”, theksoi Manja.