Ish-kryebashkiakja e Libohovës i shpëton burgut, Apeli i Posaçëm e lë në shërbim prove

Apeli i GJKKO ka shpallur fajtore ish-kryetaren e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por ajo nuk do të bëjë asnjë ditë burg.

Në qershor të 2024-ës, GJKKO e kishte dënuar me 8 muaj burg ish-kryebashkiaken, por Apeli vendosi sot pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë në Shërbim Prove për 1 vit e 4 muaj burg.

Mandi u procedua pas kallëzimit të një qytetari, që pretendoi se i ishte dëmtuar prona gjatë një projekti publik për zgjerimin e një rruge. Sipas tij, ndonëse i ishte premtuar se do t’i riparohej prona, diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Gjatë hetimeve, SPAK zbuloi se ishte cënuar prona private pasi nuk është zbatuar procedura e shpronësimit, çka ka sjellë dhe dëmin ekonomik të kallëzuesit, në një vlerë prej 3.6 mln lekësh të vjetra.