Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter dhe futbollisti i famshëm francez, Michel Platini, janë liruar nga akuzat për korrupsion në lidhje me akuzat për mashtrim në organizmin botëror të futbollit.
Një gjykatë apeli në Muttenz, pranë Bazelit në Zvicër, të martën i liroi të dy nga parregullsitë lidhur me një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane (1.6 milionë £) që Blatter i bëri Platinit në vitin 2011. Të dy burrat e kanë mohuar vazhdimisht keqbërjen.
Të dy u liruan për herë të parë nga akuzat për mashtrim në vitin 2022, por vendimi u apelua nga prokurorët federalë zviceranë.
Rasti i gjatë rrjedh nga viti 2015, kur FIFA u zhyt në akuza për mashtrim dhe korrupsion, duke kulmuar me një bastisje dramatike në Cyrih, si rezultat i një hetimi të veçantë amerikan.
Skandali, më i madhi në historinë e futbollit, përfshinte marrëveshje të fshehta ndërmjet zyrtarëve të organeve drejtuese dhe drejtuesve të marketingut sportiv, me mashtrime, ryshfet, reket dhe pastrim parash.
Kjo e detyroi Blatterin të jepte dorëheqjen dhe i dha fund shpresave të Platinit për ta pasuar atë në krye të FIFA-s.
Prokurorët zviceranë akuzuan më pas Blatterin, tani 89 vjeç dhe Platinin, 69 vjeç, se kishin mashtruar FIFA-n lidhur me pagesën ndaj Platinit, duke pretenduar falsifikim dhe mashtrim. Ata thanë se pagesa nuk kishte “bazë ligjore”.
Të dy burrat argumentuan se transferimi ishte një pagesë e vonuar për punën këshilluese që Platini – i cili më parë kishte shërbyer si president i organizmit evropian të futbollit UEFA – kishte bërë për FIFA-n.
Në dëshminë e tij në gjyqin e parë, Blatter tha se i kishte kërkuar Platinit të punonte si këshilltar i tij në vitin 1998. Ai shtoi se, në atë kohë, FIFA nuk mund të përballonte tarifën vjetore prej 1 milion frangash zvicerane të kërkuar nga Platini.
Në vend të kësaj, ata ranë dakord për një tarifë të reduktuar vjetore prej 300,000 frangash, me pjesën tjetër të paguar më vonë.
Gjykata penale federale e Zvicrës në Bellinzona i liroi të dy, duke pranuar se kishin një “marrëveshje zotërinjsh” mbi pagesën. Prokurorët federalë apeluan vendimin, duke çuar në seancën e re.
Duke folur me gazetarët pas vendimit të së martës, Blatter tha: “Më në fund, gjykata ka dhënë drejtësi dhe për mua, familjen dhe miqtë e mi. Kjo është një gjë e madhe.”
Ai shtoi: “Jam plot emocione tani”.
Platini u tha gazetarëve se “persekutimi” i tij “tash ka përfunduar plotësisht”, duke shtuar: “Sot, nderi im është kthyer dhe jam shumë i lumtur”.
Avokati i Platinit ka thënë se tani po planifikojnë veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për procedurën penale.
“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka arritur të gjejë asnjë provë të vetme inkriminuese për më shumë se 10 vjet”, tha Dominic Nellen në një deklaratë. “Këto procedura nuk ishin të justifikuara dhe nuk duhej të kryheshin kurrë”.
Platini pati një karrierë të shkëlqyer si lojtar dhe është tri herë fitues i Topit të Artë – çmimi më i lartë individual i futbollit në Evropë.
Ai ishte kapiten i Francës për të fituar në Kampionatin Evropian të vitit 1984 dhe fitoi Kupën Evropiane të 1985 me Juventusin. Ai vazhdoi të ishte trajner i kombëtares franceze dhe shërbeu si president i UEFA-s nga 2007 deri në 2015.
Blatter, fillimisht një biznesmen dhe administrator sportiv zviceran, iu bashkua FIFA-s në vitin 1975, duke u ngjitur në radhët e trupit për t’u bërë sekretar i përgjithshëm i saj në 1981 dhe president në 1998.