Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, do të ekstradohet nga Spanja drejt vendit tonë, 8 muaj pas arrestimit të tij në Alicante.
Spanja ka vendosur për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku akuzohet për disa vepra penale, si vrasje, tentativë vrasje dhe porositje të atentateve.
Lulzim Berisha njihet si “truri” i bandës famëkeqe të Durrësit, autore e disa vrasjeve dhe grabitjeve në vend.
Ndërkohë ish-kreu i bandës së Durrësit, ka refuzuar që të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë shqiptare që e akuzon për një sërë ngjarjesh.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Spanjë më datë 2 korrik, Lulzim Berisha i kërkoi Gjykatës Kombëtare të Spanjës që mos të lejojë ekstradimin e tij në Shqipëri, me argumentin se i druhet një hakmarrje të mundshme për shkak të veprimeve të tij në të kaluarën.
Nga ana tjetër, autoritetet spanjolle deklaruan se nuk ka rrezik për hakmarrje nëse Lulzim Berisha u dorëzohet autoriteteve të drejtësisë shqiptare që e kërkojnë.
Berisha ka të drejtën për të apeluar vendimin e Gjykatës Kombëtare në Gjykatën e Lartë të Spanjës.