Irani kërcënon shtetet e Gjirit: Nëse SHBA-ja sulmon sërish, do të godasim infrastrukturën energjetike

Teherani ka paralajmëruar shtetet e Gjirit se çdo sulm i ri amerikan ndaj territorit iranian do të pasohet me goditje ndaj infrastrukturës kritike energjetike në rajon, sipas pesë burimeve të njohura me zhvillimet diplomatike.

Sipas burimeve, paralajmërimi u përcoll pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump më 28 korrik, kur ai kërcënoi se mund të godiste rrjetin energjetik dhe infrastrukturën e Iranit.

Dy zyrtarë të lartë iranianë, dy burime nga vendet e Gjirit dhe një diplomat i lartë rajonal thanë se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, zhvilloi bisedime me homologët e tij nga Arabia Saudite, Turqia dhe Katari, si edhe me shefin e ushtrisë së Pakistanit.

Sipas diplomatëve, Araqchi u bëri thirrje aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik që të përdorin ndikimin e tyre ndaj presidentit Trump për ta bindur të mos ndërmarrë sulme të reja ushtarake ndaj Iranit. Ai paralajmëroi se çdo sulm ndaj Iranit do të shkaktonte kundërpërgjigje ndaj objekteve amerikane dhe infrastrukturës energjetike në gjithë rajonin e Gjirit.

“Ne jemi të gatshëm të kundërpërgjigjemi, por zgjidhja diplomatike mbetet mënyra më e mirë për të shmangur një përshkallëzim më të gjerë dhe shkatërrimin në rajon”, citohet të ketë thënë Araqchi.

Një burim nga Gjiri tha se mesazhi iranian ishte i qartë: nëse Shtetet e Bashkuara godasin infrastrukturën iraniane, Teherani do të sulmojë objektet energjetike dhe objektiva të tjera strategjike në vendet e Gjirit.

Sipas burimeve, këto zhvillime tregojnë përpjekjen e Iranit për të rritur koston e një ndërhyrjeje të re ushtarake amerikane, duke vënë në një pozitë të vështirë shtetet e Gjirit, të cilat strehojnë baza ushtarake amerikane dhe varen nga eksportet e energjisë.

Pas këtyre kontakteve, princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, zhvilloi një bisedë me presidentin Trump, duke i kërkuar që të shtyjë çdo veprim ushtarak, t’i rikthehet negociatave, të sigurojë armëpushim dhe të ndjekë një zgjidhje diplomatike.

Një tjetër burim nga Gjiri tha se paralajmërimi iranian ishte i destinuar për të gjitha vendet e rajonit, por u përcoll kryesisht përmes Arabisë Saudite dhe Katarit. Vitet e fundit, Irani ka përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e tij arabë, përfshirë edhe Arabinë Saudite.

Katari, Omani dhe Arabia Saudite i kanë bërë thirrje Uashingtonit të rifillojë bisedimet me Teheranin për të shmangur një konflikt të ri. Një zyrtar iranian paralajmëroi se një valë e re sulmesh amerikane mund ta “shndërrojë rajonin në një top zjarri”.

Më 2 gusht, presidenti Trump deklaroi se kishte rënë dakord të anulonte sulmin e planifikuar ndaj Iranit, me kusht që të arrihej shpejt një marrëveshje.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka bërë të ditur se mbështet diplomacinë, por njëkohësisht ka paralajmëruar se do të mbrojë territorin e saj nëse kërcënohet. Burime nga Gjiri thanë se Riadi i ka bërë të qartë Iranit se çdo sulm ndaj territorit saudit do të marrë përgjigje ushtarake.

Sipas një zyrtari iranian, paralajmërimi i Teheranit përfshin mundësinë e goditjes së rafinerive, rrjeteve të energjisë elektrike, infrastrukturës ujore, rrjeteve të transportit dhe fushave të naftës në vendet e Gjirit në rast të një sulmi të ri amerikan.

“Irani do t’i përgjigjet çdo dëmi me një goditje shumë më të madhe”, tha zyrtari, duke kujtuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj objekteve të kompanisë saudite Aramco në vitin 2019, të cilat ndërprenë përkohësisht më shumë se gjysmën e prodhimit të naftës së Mbretërisë.

Sipas diplomatëve të përfshirë në bisedime, Teherani beson se kërcënimi ndaj infrastrukturës energjetike të rajonit mund të bindë Uashingtonin dhe aleatët e tij arabë se një konflikt i ri do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe strategjike.

Një diplomat rajonal shtoi se një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje mbetet dëshira e Uashingtonit për të mos lejuar që Irani të paraqitet si fitues.

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë një rezultat që mund ta paraqesin si provë se e fituan luftën”, tha diplomati.