Investigimi i RAI3, gazetari italian reagon pas kritikave të Ramës: Ahmetaj, i besuari i kryeministrit për 15 vite

Rreth një javë më parë emisioni “Report” në RAI3 transmetoi pjesën e dytë të reportazhit për Shqipërinë, ku ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj tregoi për lidhjet e krimit të organizuar me politikën.

Ish-numri dy i qeverisë, teksa fliste në një drekë ndërkohë që nuk e dinte se po filmohej, tregoi pa doreza se si kryeministri Edi Rama priste në zyrën e tij njerëz të krimit.

Këto deklarata dhe investigimi i medias italiane nuk i pëlqyen aspak kryeministrit Edi Rama, i cili fill pas transmetimit të emisionit, ku edhe vetë ai ishte protagonist me një intervistë, doli me një video-mesazh, ku e konsideroi si një baltosje e eksportuar nga Tirana.

Ndërkohë sipas Ramës u përdorën si heronj figura të errëta, një non grata, një i dënuar dhe një i arratisur në kërkim nga SPAK.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit investigative Sigfrido Ranucci, ka folur në lidhje me këto akuza. Në një përgjigje të kthyer ndaj News24, ai thotë se emisioni ka bërë një punë rigoroze dhe u ka dhënë zë disa përfaqësuesve institucionalë, duke përfshirë edhe Ahmetajn, që ka qenë bashkëpunëtor i kreut të qeverisë për 15 vite.

“Report” ka bërë një punë rigoroze me dokumente institucionale italiane dhe shqiptare dhe u ka dhënë zë disa përfaqësuesve institucionalë shqiptarë, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin që ka fituar besimin e Ramës për rreth 15 vjet”, tha Ranucci.