Të jesh student ka kostot e veta, të cilat shpeshherë, i tejkalojnë mundësitë e një të riu shqiptar për të përballuar jetesën.
Ledina Elezi është studente e diplomuar në degën “Shkenca politike” pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Aktualisht, ajo është në vit të parë në masterin e shkencave “Politikat dhe qeverisja në Evropë”, pranë Institutit të Studimeve Evropiane, ndërsa Amalejda Toska është studente e vitit të tretë, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.
Momentalisht fokusi i vajzave janë studimet dhe nuk janë të punësuara. Mbështetja e tyre financiare janë prindërit. Si Ledina dhe Amalejda, ka dhe shumë studentë të tjerë, të cilët përpiqen të përballojnë kostot në rritje të jetesës në Tiranë.
Ato na kanë treguar më shumë mbi sfidat dhe dritëhijet e jetesës së një studenteje në vitin 2023, në një intervistë ekskluzive për Media ‘Ditari”.
Intervistoi: Ema Meçaj
-Vajza, cilat janë burimet kryesore ku mbështeteni për të siguruar jetesën?
Ledina: Për tre vite radhazi kam përfituar bursë ekselence, vlera e bursës ishte 10000 lekë, në çdo muaj të vitit akademik. Në kushtet kur studenti duhet të paguajë çdo muaj qiranë, të përllogarisë sa mund t’i shkojë blerja e ushqimeve, kur çmimet rriten dita-ditës, të paguajë tarifën e të sigurojë librat e kërkuar, kalimi i kësaj vlere minimale është shoqëruar vazhdimisht me vonesa. Ndonjëherë kam shkruar artikuj për të cilët jam paguar, por gjithmonë kanë qenë prindërit ata që kanë kontribuar më tepër në mbulimin e shpenzimeve të mia.
Amalejda: Mbështetja ime e vetme financiare janë prindërit e mi, të cilët përpiqen që të mos më mungojë asgjë, me aq mundësi sa ata kanë.
-Sa është tarifa që duhet të paguani në universitet dhe sa kushtojnë librat apo mjetet e studimit për një vit akademik?
Ledina: Për shkak të performancës së mirë akademike, unë nuk kam paguar tarifë. Tarifa në fakultetin tim ka qenë 40000 lekë. Pak studentë janë përjashtuar plotësisht nga pagesa e tarifës, ndërkohë që të gjithë studentët me mesatare mbi notën 6 kanë përfituar vetëm përgjysmim të tarifës, duke u detyruar të paguajnë 20000 lekë.
Kostot e librave shkojnë përafërsisht 10000 lekë dhe bëhet fjalë për literaturë të fotokopjuar.
Amalejda: Tarifa është 45000 lekë, por me “lehtësimet” që janë bërë nga protestat studentore, në bazë të mesatares, përfitoj përgjysmim të tarifës. Pra, praktikisht e paguaj 22500 lekë. Librat janë ata që kushtojnë shumë, duke qenë edhe një nga vështirësitë që shumica e studentëve hasin. Jam përpjekur që të gjej mënyra alternative për të shpenzuar sa më pak, siç është blerja e librave të përdorur që studentët e viteve të mëparshme shesin, ose duke i marrë të fotokopjuar me një kosto më të ulët. Gjithashtu edhe mjetet janë tepër të kushtueshme, duke shkuar në një total për një vit shkollor së bashku me librat 20000 lekë.
-Sa shpenzoni për të paguar qiranë e konviktit apo shtëpisë në muaj?
Ledina: Unë jetoj në Rezidencën Studentore Universitare Nr.1, paguaj 5500 lekë në muaj. Pak godina ofrojnë kushtet e përshtatshme për jetesë, ndërsa shumica prej tyre vazhdojnë të luajnë rolin e “muzeve të komunizmit me fasada moderne”. Në një treg ku çmimet e shtëpive me qira kanë arritur majat, shumë studentë i drejtohen konvikteve të cilat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të strehuar shumicën e studentëve dhe ku dominon ryshfeti si mjet pasurues i punonjësve të administratës së konvikteve. Për të kuptuar më mirë gjendjen e rezidencave studentore në Shqipëri, mjafton t’i referohemi modelit të Qendrës Studentore në Prishtinë. Në këtë qendër, studenti paguan vetëm 20 euro në muaj për akomodim dhe 15 euro në muaj për ushqimin në mensë bashkë me internetin/televizorin, ndërsa lavanderia përfshihet në tarifën e regjistrimit. Aty jeton një komunitet vetëm me studentë dhe ofrohen terrene sportive apo hapësira për zhvillimin e jetës sociale dhe kulturore të të rinjve. Tarifa e akomodimit në Shqipëri është dyfish më e lartë, 15 euro mund të mjaftojnë për të siguruar me kursim 3 ditë ushqim në mensë dhe lavanderia është me pagesë për çdo larje. Megjithëse në statutin e rezidencave studentore në Shqipëri parashikohet ofrimi i mensës për studentët apo sigurimi i terreneve sportive, ky realitet është prej vitesh inekzistent. Nevojitej protesta e studentëve në vitin 2018 dhe fatkeqësia e tërmetit në vitin 2019, që Bashkia e Tiranës të kujtohej t’i hidhte sytë për ndërhyrje minimale në Qytetin Studenti.
Amalejda: Unë qëndroj në një garsoniere së bashku me motrën time dhe në total, për një muaj, me të gjitha të përfshira, na duhet të shpenzojmë 26000 lekë.
-Sa para shpenzoni për ushqime dhe për transportin gjatë një muaji? Përveç shpenzimeve bazë, sa para ju nevojiten për shpenzime të tjera alternative?
Ledina: Për ushqimet shpenzoj mbi 10000 lekë në muaj, ndërsa për transportin 1600 lekë në muaj, të shpenzuara kryesisht për transportin, kur shkoj të vizitoj familjen çdo fundjavë. Për shpenzime të tjera alternative, harxhoj 2000 ose 3000 lekë çdo muaj.
Amalejda: Për ushqime na duhen rreth 7000 – 8000 lekë. Duke qënë se, shkolla nuk ka një largësi të madhe nga shtëpia ku qëndroj, këtë segment e përshkoj në këmbë. Ndërsa, kur shkoj në shtëpi një herë, ose dy herë në muaj, më nevojiten në muaj 3000 lekë. Para për shpenzime alternative më duhen 15000-18000 lekë, gjithmonë duke u përpjekur të mos bëj shpenzime të pavlera dhe për gjëra të panevojshme.
-Cilat janë sfidat ekonomike të një studenti sot?
Ledina: Në kushtet e rritjes së qirave të shtëpive në Tiranë, gjetja e një banese me çmim të arsyeshëm është thuajse e pamundur. E njëjta gjë vlen edhe për ushqimet ku abuzimet me çmimet kanë arritur kulmin dhe studenti mundohet të shpenzojë me kursim edhe për t’u ushqyer. Shoqëruar me nevoja të tjera që duhet të përmbushë, ai është i detyruar të punojë gjatë ndjekjes së studimeve, me qëllim që të përballojë vështirësitë që i sjell jeta në Tiranë. Kjo sjell shkëputje të vazhdueshme nga studimi, ndërkohë që duhet të ishte i përkushtuar me kohë të plotë për të marrë më të mirën nga dega që ka zgjedhur. Në fund të 3 ose 5 viteve, është e pritshme që universitetet (krahas pafund ngërçeve të tjera që kanë) të nxjerrin studentë jo me produktin e parashikuar.
Amalejda: Sfidat e një studenti sot janë tepër të mëdha. Edhe pse kohërat kanë evoluar dhe mundësitë për të punuar janë zhvilluar, ngritja e çmimeve mbetet përsëri një sfidë më vete për çdo student duke filluar që nga qiratë shumë të larta, ushqimet dhe nevojat vetjake.
-Sa efektive janë politikat e ndërmarra për mbështetjen e të rinjve, si karta e studentit?
Ledina: Karta e studentit nuk është gjë tjetër veçse një mjet që studenti e përdor vetëm për dy shërbime gjatë gjithë viteve të sudimeve të tij: e para, për të marrë abonenë çdo muaj (fenomen i lançuar në funksion të fushatës për zgjedhjet e shkuara lokale) dhe e dyta, kur rastis një herë në 5 vite ndonjë shërbim që ka nevojë. Për personat që kërkojnë bojëra për lyerjen e shtëpisë apo shërbime të tjera të kësaj natyre, karta e “studentit” është zgjedhja e duhur. Për studentët që kërkojnë të përfitojnë ulje për blerjen e librave në librari apo produkteve në markete, karta nuk e kryen rolin e saj.
Amalejda: Viti i fundit ka sjellë një lehtësi me kartat e studentit. Së pari, studentët mund të marrin abone falas, ku shumica që jeton larg shkollës nuk kanë pse të paguajnë për transportin publik. Kjo është lehtësim, sepse në fund të muajit të bëhet një vlerë, e cila për dikë mund të jetë pak, ndërsa për një student do të thotë shumë. Gjithashtu edhe disa dyqane apo farmaci kanë bërë të mundur uljen e pagesave për produkte të caktuara nëse përdorim kartën e studentit. Në thelb, mund ta quaj si një nga politikat më të arrira që është ndërmarrë për studentët deri më sot.
-Çfarë politikash mendon se duhen ndërmarrë për të rritur kapacitetet dhe mbështetjen ndaj studentëve?
Ledina: Rritja e vlerës së bursës për studentët ekselentë, ndihmë ekonomike dhe kategoritë e tjera; zvogëlim ose reduktim i plotë i tarifës së studimit për studentët e programeve bachelor dhe master, pa vendosur si kriter mesataren e notave; heqja e kushteve kufizuese për studentët e degëve prioritare; investim në rritjen e kapaciteteve strehuese për studentët në rezidencat studentore dhe përmirësimi i infrastrukturës së këtyre të fundit; nivel më të lartë transparence dhe llogaridhënieje nga drejtoria e konvikteve, por jo vetëm; me rritjen e çmimeve të ofrohej një kompensim për mbulimin e shpenzimeve; rihapja e fondit të ekselencës dhe përzgjedhja e fituesve në bazë të konkurrencës dhe meritokracisë; pasurimi i bibliotekave të fakulteteve; mbështetje psikologjike dhe orientim në tregun e punës për studentët etj.
Amalejda: Mendoj se studentët janë kategoria që duhen mbështetur maksimalisht për vetë faktin se ata janë e ardhmja. Duhen ofruar kushte më të mira në konvikte, sepse jo të gjithë kanë mundësi të jetojnë në shtëpi me qira. Mensat duhet të hapen me një kosto fare të ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, ku ju ofrohet një shërbim më cilësor. Studentëve mund t’ju bëhet lehtësi duke ju hequr tarifa e studimit dhe duke i suportuar mbi të gjitha me infrastrukturë të fakulteve. Hapja e ambienteve të studimit me orar të zgjatur siç mund të jetë biblioteka e shkollës ose ajo kombëtare, do të nxiste dëshirën për t’u bërë akoma më arsimdashës.
Pas intervistës me Ledinën dhe Amalejdën, llogaritëm në total kostot që një student duhet të paguaj përafërsisht, duke e përfshirë edhe koston e universitetit të plotë. Në rastin e Ledinës, 50000 lekë në fillim të vitit për tarifën e universitetit dhe librat, si dhe 20100 lekë çdo muaj, ndërsa në rastin e Amalejdës, 65000 lekë për tarifën e universitetit dhe librat, si dhe 55000 lekë çdo muaj.
Kostoja e jetesës për studentët sot, sa vjen dhe rritet, ndërsa mbështetja nga shteti, vazhdon të mbetet në standartet minimale.