Intervista në “La Stampa”, Rama nuk i ndahet Kurtit: Kokëfortë dhe maksimalist

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” ku nuk i kurseu thumbat për Albin Kurtin. Duke folur për situatën në Kosovë, Rama tha se e respekton qendrimin e Kurtit, por që cilësoi atë kokëfortë, maksimalist, që sipas tij do të duhej të pranonte planin franko-gjerman.

“Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh”, tha Rama.

Ndërsa për Serbinë, Rama u shpreh se “ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas”.

“Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte”, tha Rama.

“La Stampa” pyeti Ramën edhe për miqësinë e tij me Presidentin turk Erdogan. Ndonëse vlerësoi rolin e Turqisë, sipas Ramës, nuk e ka një çelës magjik. “Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Europës dhe është një bashkëbiseduese e aftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për ndryshimin e një vizioni imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putinit. Të gjitha luftërat përfundojnë në tavolinën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë”, shtoi Rama.