Institucionet e Drejtësisë reagojnë pas vrasjes së gjyqtarit: Sinjal alarmi për sigurinë e magjistratëve

Institucionet e Drejtësisë kanë reaguar ashpër lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot ku gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit.

SPAK teksa dënon vrasjen e paprecedentë, nënvizon se ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.

Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”– thuhet në reagimin e SPAK.

Ndërkohë Gjykata e Lartë përmes një reagimi tha se kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Gjykata e Lartë thekson se në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur në ushtrimin e detyrës së tij.

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

Për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, një ngjarje që tronditi sot të gjithë vendin, pati edhe një reagim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Sipas KLP-së, kjo ngjarje është sulm i drejtpërdrejt ndaj Kushtetutës dhe sigurisë publike në tërësi.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi. Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.

Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë në një reagim tha se tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.

Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.

Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Ne institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit.

Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin”,- thuhet në reagimin e ILD.