Industria ajrore në BE paralajmëron mungesë karburanti nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur

Industria ajrore në Evropë ka ngritur alarmin për një krizë të mundshme të furnizimit me karburant avioni, nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet brenda javëve në vijim.

Sipas organizatës që përfaqëson aeroportet evropiane, Airports Council International (ACI Europe), Evropa mund të përballet me mungesë të karburantit të avionëve brenda tre javësh. Gjysma e importeve të karburantit ajror në Evropë vjen nga rajoni i Gjirit Persik, duke e bërë tregun veçanërisht të ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje në këtë rrugë strategjike detare.

Drejtori i përgjithshëm i ACI Europe, Olivier Jankovec, në një letër drejtuar Komisionerëve të BE-së për energjinë dhe turizmin, paralajmëroi se situata po përkeqësohet, sidomos me afrimin e sezonit veror të udhëtimeve.

“Një krizë furnizimi do të ndërpriste rëndë operacionet e aeroporteve dhe lidhjet ajrore, me pasoja të rënda ekonomike për komunitetet dhe për Evropën,” thuhet në letrën e tij.

Ai shtoi se nëse kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit nuk rifillon në mënyrë të qëndrueshme brenda tre javësh, një mungesë sistemike e karburantit për avionët në BE mund të bëhet realitet.

Disa kompani ajrore në mbarë botën kanë filluar tashmë të ulin numrin e fluturimeve dhe të rrisin çmimet e biletave, për shkak të shqetësimeve mbi furnizimin me karburant.

Javën e kaluar, çmimi referencë i karburantit të avionëve në Evropë arriti në 1,838 dollarë për ton, një rritje e ndjeshme krahasuar me 831 dollarë para fillimit të luftës.

ACI Europe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të ndërhyjë, duke theksuar se mbështetja vetëm tek tregu nuk është e mjaftueshme në këtë situatë. Organizata kritikoi gjithashtu mungesën e një vlerësimi dhe monitorimi të përbashkët në nivel të BE-së për prodhimin dhe disponueshmërinë e karburantit ajror.

Ndër propozimet e saj është edhe blerja e përbashkët e karburantit nga BE, si dhe heqja e përkohshme e disa kufizimeve dhe rregullave për importin e tij.

Në letër theksohet gjithashtu nevoja për mbështetje më të madhe ndaj prodhimit të karburantit të qëndrueshëm të aviacionit (SAF), duke paralajmëruar se çmimet e karburantit tradicional mund të mbeten të larta për një periudhë afatgjatë.

Sipas Jankovec, aeroportet më të vogla, me më pak se një milion pasagjerë në vit, janë tashmë nën presion ekonomik dhe mund të bëhen edhe më të brishta nëse kriza thellohet, duke rrezikuar edhe komunitetet lokale dhe lidhjet rajonale në Evropë.

Sektori i aviacionit kontribuon rreth 851 miliardë euro në vit në ekonominë evropiane dhe mbështet rreth 14 milionë vende pune.