Ditën e sotme ka përfunduar edhe seanca e mbrojtjes së të pandehurve për aferën e inceneratorit të Fierit.
Gjykata e Posaçme ka vendosur që në 25 shtator, në orën 10:00, të japë vendimin për ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe të arrestuarit e tjerë.
Koka është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë, pasi pagesat dhe ndërtimi i inceneratorit kanë filluar pasi ai ishte larguar si ministër. Gjithashtu Koka thotë se nuk i është gjetur asnjë pasuri e pajustifikuar, teksa shtoi se do të kërkojë të drejtën e tij deri në fund.
Në provat që i janë paraqitur gjykatës, thuhet se Ministria e Mjedisit nuk i ka dhënë fondet, por janë dhënë nga Ministria e Financave. Për të ekzekutuar procedurën është ngritur një grup me 7 persona, nga të cilët vetëm 2 janë nga Ministria e Mjedisit, ndërsa 5 të tjerët nga Ministria e Financave.
Koka mohon edhe se mund të ketë patur komunikime me Klodian Zoton, ndërsa shton se gjetjet e SPAK janë për 5 anëtarët e tjerë të Ministrisë së Financave.