Inceneratori i Elbasanit/ SPAK mbyll hetimet për Ahmetajn, në arrati që prej 2023-it

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, sa i takon aferës së Inceneratorit të Elbasanit.

Ish-numri dy i qeverisë, që ndodhet në arrati është marrë zyrtarisht i pandehur për veprat penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”.

Mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses së Ahmetajt, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka, si dhe shtetasve Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj.

Ahmetaj është shpallur në kërkim nga SPAK që prej korrikut të vitit 2023. Ndërkohë, organi i akuzës ka vendosur sekuestro mbi disa prona që dyshohet se janë në emër të tij apo të familjarëve të tij.

Po ashtu, Arben Ahmetaj po përballet edhe me një tjetër proces gjyqësor në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” në lidhje me dosjen e njohur si “Buka sh.a.”.