Ilir Meta letër mbështetësve nga burgu i “313-ës”: Nisni protesta periodike para SPAK

Nga burgu i “313-ës”, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shkruar nje letër për mbështetësit e tij, ku kërkon protesta periodike para SPAK. Letra e Metës dhe porositë e tij u lexuan nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi gjatë një dalje për mediat.

Sipas Metës protestat duhet të zhvillohen për të denoncuar ato që ai i quan manipulime skandaloze të Prokurorisë së Posaçme në dosjen kundër tij si dhe për të denoncuar aferat e kryeministrit Edi Rama për të cilat thotë se SPAK nuk po i heton.

“Është detyra e të gjithëve ju që besoni te drejtësia dhe interesat kombëtare, të shumfishoni aktivitetin tuaj në terren kundër narkoregjimit. Kërkoj nga ju të organizoni protesta paqësore periodike para SPAK, për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të tyre në dosjen kundër meje, por edhe të dënonconi të gjitha aferat skandaloze të Edi Ramës, që SPAK, jo vetëm që nuk i heton, por që përpiqet t’i amnistojë duke dënuar disa persona që nuk i duhem më Edi Ramës”, thuhej mes të tjerash në letrën e Metës.

Kjo letër vjen teksa një ditë pasi Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e arrestit me burg për Metën, i cili akuzohet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.