Iftari i Ramës, apo pasarela e modës së milionerëve

“Disa përdorin iftarët si dritë reflektimi për veten, kurse të tjerë i shohin vetëm si mundësi për t’u shfaqur.”

Në Shqipëri, pushtetarët e përdorin shtrimin e iftarit për të ngritur imazhin e tyre në publik, teksa sallat ku shtrohet iftari nuk janë më të mbushura me besimtarë, por janë zëvendësuar me “VIP-a”, politikanë e milionerë, që si shpërblim publikojnë fotot nga darka në rrjetet e tyre sociale me qindra mijëra ndjekës.

Edhe ditën e djeshme, ashtu si çdo vit, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda shtruan iftar, në një sallë të mbushur me “VIP-a”, e me pak besimtarë, si për të justifikuar shpenzimet e kësaj darke.

Të gjithë të ftuarit u ngjitën një nga një në sallën e Pallatit të Kongreseve, të veshur e të parfumosur, teksa kalimi një nga një e dy nga dy i ngjasonte më shumë një pasarele mode, ku kërkonin të fotografoheshin sa më mirë nga dhjetëra fotografët e paguar nga lekët e qytetarëve.

Shumica dërrmuese e tyre nuk kanë agjëruar asnjëherë e nuk kishin agjëruar as dje, por u sulën mbi ushqime si ujqër, teksa në videon e publikuar nga vetë kryeministri mund ta dallosh qartë 4 momente.

I pari: Hoxhë Ahmed Kalaja këndon ezanin; I dyti: Dëgjohen vetëm trokitje gotash, pjatash e pirunjsh; I treti: Fjalimi i Ramës; I katërti: Trokitje gotash, lugësh e pirunjsh.

Nuk kishin si të mungonin në këtë iftar ministrat e disa nga deputetët e grupit parlamentar socialist, me buzëqeshje vesh më vesh që kryetari i tyre i kishte mbajtur sërish pranë vetes.

Por s’kishin si të mungonin edhe pronarët e mediave, që mezi e presin një ftesë nga njeriut të cilit i bëjnë fresk gjithë vitin. E mes tyre, ka edhe nga ata pronarë që gazetarët i kanë lënë me muaj pa i paguar, por shfaqen si të “kulluar” para kolegëve të tyre.

E si mund të mungonin në këtë iftar edhe disa artistë që nga arti i tyre mbahen mend vetëm lavdet për qeverinë e kryeministrin.

Kishte edhe biznesmenë, nga ata që gjithë vitin qeveria i ngop xhepin me tendera, e dje u ngopi barkun me bukë.

Kishte lloj e soj milioneri në atë iftar, të shumtë në numër, ndërsa ishin edhe disa besimtarë të vërtetë, nga ata që besimin e kanë të shenjtë.

 Por, Muaji i Shenjtë i Ramazanit është kohë për pastrim shpirtëror, jo për pastrim imazhesh.

Milionat e shpenzuara për të kënaqur milionerët me iftar të shtrenjtë, mund të ishin përdorur për të shtruar disa iftarë për besimtarët e vërtetë që nuk kanë mundësi ekonomike. Ata që iftarin e çelin me një gotë ujë me sheqer, por besimin në Zot nuk e humbasin kurrë.

Por, për sa kohë që në vendin tonë të kemi pushtet që mendon vetëm për të pasurit e oligarkët, të varfërit do të vijojnë të jenë në mëshirën e Zotit!