Ia thanë Ramës në sy atë që protestuesit thonë në shesh, Sekretariati i Etikës përjashton Shehajn dhe Kaprin

Të pyesësh kryeministrin Rama apo të replikash me të në Kuvend duket se është një mision i pamundur për deputetët opozitarë.

Përveçse duhet ta presin të vijë një herë në disa muaj, tashme deputetët opozitarë nuk lejohen as të replikojnë me të kur gjejnë mundësinë ta takojnë nga afër.

Në seancën e fundit parlamentare, kryeministri Rama u shfaq i detyruar për të votuar ligjin e Amnistisë Penale, për shkak se socialistët nuk i kishin 84 votat e nevojshme. Por në Kuvend Rama u përball me dy deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.

Këta të fundit i thanë kryeministrit në sy atë që dhjetëra mijëra protestues e thonë çdo ditë në rrugët e Tiranës: “Jep dorëheqjen”, pasi korrupsioni ka mbuluar këtë qeveri prej 13 vitesh.

Por fjalët e Shehajt dhe Kaprit, që në fakt janë të gjithë protestuesve dhe jo vetëm, duket se nuk i pëlqyen socialistëve në Sekretariatin e Etikës, të cilët vendosën t’i përjashtojnë të dy, Shehajn me 30 ditë, ndërsa Kapri me 20 ditë.