I vëllai realizoi audio-përgjimin që çoi prapa hekurave Belerin, flet Avdyl Rama: Në Himarë nuk na flet më njeri, më kanë kërcënuar dhe më kanë sharë greqisht nga nëna

Shtetasi Arsen Rama, i cili realizoi audio-përgjimin kundrejt kandidatit për bashkinë Himarë, Fredi Belerit, është kërcënuar me jetë, pas arrestimit të Belerit më 12 maj.

Vëllai i Arsen Ramës, Avdyl Rama, ka folur nën cilësinë e personit, që ka dijeni për situatën. Deklaratat që ai ka bërë, ditën e arrestimit të Belerit dhe në muajin qershor, janë lexuar në gjykatë.

Avdyl Rama shprehet se pas arrestimit të Fredi Belerit për shitblerje votash, atë e kanë konfrontuar dy persona në Himarë, të cilët i kanë kërkuar që ai dhe i vëllai Arseni, të tërhiqnin deklaratat. Ai thekson se dy personat i përmendën se ishin miqtë e Belerit dhe se i premtuan se do t’i siguronin azil politik për vëllain në Greqi, nëse do të tërhiqnin deklarimet.

Ndaj familjes së tyre, nuk kanë munguar as kërcënimet e shumta. Pas Arsen Ramës që u kërcënua me jetë, edhe Avdyli është kërcënuar me armë, nga një person.

“Në një ditë tjetër, duke ikur në Livadh me motor, më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë. Më ka kërcënuar dhe sharë greqisht, nga nëna që më ka vdekur.” – u shpreh Avdyl Rama.

Ai deklaroi gjithashtu se që prej ditës kur u arrestua Fredi Beleri, biznesi i tyre familjar ka falimentuar, sepse nuk u ble më njeri peshk, madje njerëzit në Himarë nuk u flasin më as në rrugë.