I thyen shishen e qelqit në fytyrë modeles, Prokuroria kërkon 3 vite burg për Mariela Berishën, 3 vite shërbim prove për motrën e saj

Prokuroria e Tiranës kërkon 3 vite burg për Mariela Berishën dhe 3 vite shërbim prove për motrën e saj, Antonela Berisha, të cilat akuzohen për dhunën ndaj 26 vjeçares, Klea Prenga.

Aktualisht, Mariela Berisha ndodhet në masën “arrest shtëpie” ndërsa motra e saj në “detyrim paraqitje”. Në rast se gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë, Mariela Berisha do të dënohet me dy vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në gushtë të 2024-ës në një prej lokaleve më të njohura në Tiranë ku motrat Berisha goditën me shishe qelqi modelen Klea Prenga, duke i shkaktuar plagë të shumta në fytyrë.

Menjëherë pas ngjarjes ato u larguan dhe dyshohej se fshiheshin në Dubai. Ato u vetëdorëzuan në policia dy muaj pas ngjarjes.