“I thashë çohu në këmbë dhe e qëllova”, 19-vjeçarja tregon se si vrau babain e saj: Jam penduar por s’ka kthim mbrapa

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e “arrestit me burg” për dy djemtë dhe vajzën e Pëllumb Metës, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin vranë babain e tyre ndërsa më pas e fshehën trupin e tij në kasollen që ndodhej pak metra larg banesës së tyre.

Por në sallën e gjyqit, janë mësuar detaje të tjera nga krimi makabër në Shënavlash të Durrësit, ngjarje e regjistruar më 10 shkurt.

Teksa policia tha më herët se ishte Hysen Meta ai i cili qëlloi me armë babain e tij, i riu ka ndryshuar dëshminë e tij në sallën e gjyqit. 25-vjeçari ka thënë se Pëllumb Meta u vra nga vajza e tij, 19-vjeçarja Hygerta Meta, pasi këtë të fundit donte ta fejonte me zor.

Ndërkohë edhe Hygerta Meta, ka pranuar se ka qenë ajo që ka vrarë babain pas debateve që kishin pasur dhe kërcënimeve të shpeshta të 49-vjeçarit.

Hygerta u shpreh e penduar për krimin që kreu por shtoi që s’ka kthim mbrapa.

“Na tha do t’ju vras të gjithëve dhe me tritol. Mamaja nuk mund të ndahej se i ikte gjysma e pasurisë. Herë tjetër na thoshte mamaja se ai do na vriste, ndërsa të enjten, tre ditë para vrasjes e dëgjova vetë që tha do t’ju vras. Babi erdhi nga puna. Ishte shtri me kurriz dhe mora armën. Ia tregova dhe ai nuk u befasua. Më tha ku shkon me armë. I thashë çohu në këmbë dhe ai më tha Ik andej. Isha 2 metra afër dhe e qëllova. Arma ishte te sirtari në dhomën e gjumit e vëllait. E dija që arma ishte aty se unë pastroja. Nuk kisha shans ta pyesja babin”, deklaron Hygerta në gjykatë.