Gjykata e Apelit la ne fuqi masen “arrest me burg” për ish-administratorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao.
Apeli zbuti masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje për një prej të akuzuarve për faktin se është nënë e një fëmije 2 vjeç.
Sa i përket 3 të akuzuarve që më herët ishin me detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit, Apeli vendosi të heqë kufizimin e fundit, duke lënë në fuqi vetëm masën detyrim paraqitje.
Katër punonjës të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Sipas hetimeve paraprake, kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” rezulton të ketë dalë me humbje për çdo vit nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 – një periudhë 20-vjeçare gjatë së cilës shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga fitimet e kësaj kompanie, ndonëse ajo ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të mëdha nafte në zonat e Patos-Marinzës në Fier.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.
Nga hetimi rezulton se kompania dyshohet të ketë manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Prokuroria thotë se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione financiare të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë vendit. Skemat janë ndihmuar edhe nga kontraktorë të tjerë, duke përfshirë një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.