Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte ditën e sotme në Vlorë së bashku me homologun e tij të Kosovës Xhelal Sveçla.
Balla njoftoi se shumë shpejt do të ketë një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë.
Njoftimin Balla e bëri nga hoteli i shumëkatësh i Isuf Brahimaj, i vrarë me tritol në verën e vitit 2014. Isufi së bashku me vëllain e tij Ermal (Bashkim) Ibrahimaj kishin në pronësi hotelin 7 katësh që u sekuestrua nga shteti një vit më vonë. Hoteli u vlerësua në atë kohë se kishte vlerën e 1.5 milion eurove dhe dy vëllezërit nuk i justifikonin dot të ardhurat për ndërtimin e tij.
Para atentatit, 42-vjeçari Brahimaj hidhte herë pas here fotot e hotelit shumëkatësh, ndërtuar buzë një shkëmbi në bregdet.
Isuf Brahimaj gjeti vdekjen më 28 gusht 2014, si pasojë e një atentati me lëndë shpërthyese në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi në rrugën Transballkanike, teksa ai ishte në ecje bashkë me një mikeshën e tij, Kjo e fundit mbeti e plagosur rëndë, por fatmirësisht arriti t’i shpëtojë shpërthimit të telekomanduar.
Ashtu siç është thënë më herët ,pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit do të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore.
Me sa duket institucioni që do të përdorë këtë pasuri është ai i Policisë së Shtetit.