I ndërprenë rrugën dhe e dhunuan 38-vjeçarin, pranga dy kushërinjve në Kamëz

Policia ka vendosur në pranga dy kushërinj, të cilët akuzohen se dhunuan me sende të forta një 38-vjeçar në qytetin e Kamzës.

Të arrestuarit janë Marjo Boja, 26 vjeç dhe Ersjon Boja, 30 vjeç.

Konkretisht më 24 mars, sipas hetimeve rezulton se kushërinjtë i kanë prerë rrugën me automjet, Redi Vata, 38 vjeç duke e goditur me sende të forta.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Marjo Boja, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Fatmirësisht 38-vjeçari u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasit e shpallur në kërkim M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, pasi më datë 24.03.2025, në Kamzë, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta, shtetasin R. V..

Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë së Tiranës, e cila vendosi procedimin në gjendje të lirë të këtyre 2 shtetasve.