“I kam kursyer miliona euro shtetit shqiptar”/ Shehaj: Me grup parlamentar do u nxijmë jetën hajdutëve në Kuvend

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj paralajmëron se në Parlamentin e ardhshëm të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, grupi i deputetëve të kësaj force politike do të bëjnë një betejë të ashpër kundër korrupsionit dhe vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.

Me anë të një video në rrjetet sociale, Shehaj zotohet se deputetët që do të fitojnë një mandat në 11 maj, “do ua nxijnë jetën” qeveritarëve të korruptuar.

Sipas kreut të Mundësia, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë shumë nga prania në Parlament e deputetëve të Partisë Mundësia, teksa ka kujtuar se betejat e tij të shumta si ligjvënës në këto 8 vite, u kanë kursyer shqiptarëve miliona euro që do futeshin në xhepat e politikanëve të korruptuar.

“Kështu që të njëjtën gjë do bëjmë, do vazhdojmë, dhe këtyre që po vjedhin popullin më të varfër në Evropë do t’ua nxijmë jetën në Parlament si kurrë më parë”, u zotua Shehaj.

Lidhur me pritshmëritë që ka Partia Mundësia në zgjedhjet e 11 Majit, Shehaj theksoi se ky projekt politik është afatgjatë. Në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Mundësia garon me numrin 10 në fletën e votimit.

Postimi i Agron Shehaj:

Dhe këtyre që po vjedhin popullin më të varfër në Evropë do t’ua nxijmë jetën në Parlament si kurrë më përpara.

Projekti politik i Partisë Mundësia është një projekt politik afatgjatë. Nuk shikon vetëm zgjedhjet e ardhshme. Për ne zgjedhjet e ardhshme janë jashtëzakonisht të rëndësishme, edhe shqiptarët do kenë një përfitim edhe në momentin që ne do vemi në opozitë.

Shumë qytetarë më ndalojnë edhe më vlerësojnë për punën që unë kam bërë në Parlament.

Imagjinoni çfarë mund të bëjmë me një grup deputetësh të Partisë Mundësia, 5 apo 10 veta dhe ky është qëllimi ynë. Unë jam i vetmi politikan që me denoncimet e mia i kam kursyer miliona euro shtetit shqiptar, si në rastin e Unazës së Madhe, janë me dhjetra betejat që kam bërë, pa kursyer asnjë prej tyre, pa u ndaluar.

Kështu që të njëjtën gjë do bëjmë, do vazhdojmë, dhe këtyre që po vjedhin popullin më të varfër në Evropë do t’ua nxijmë jetën në Parlament si kurrë më parë.