I dogji “Audi-n” 100 mijë euro një 44 vjeçari, arrestohet autori! Dyshohet se u pagua nga persona të tjerë

Ka rënë në prangat e policisë një 39 vjeçar, i cili një ditë më parë i dogji makinën me vlerë 100 mijë euro një personi.

Policia njofton se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Price”, brenda pak orësh, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi Erges Shegani, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta.

Shegani ka pohuar në polici se ia ka vendosur zjarrin makinës pa ndonjë arsye, ndërsa policia dyshon se ai është paguar nga një tjetër person me të cilin pronari i mjetit Julian Çakiri kishte konflikte më mëparshme. 

Njoftimi i policisë:

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 44-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Memo Meto”, për motive të dobëta.

Sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, veshjet që mbante 39-vjeçari, kur kreu krimin.

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 03:30, të datës 09.12.2025, në rrugën “Memo Meto”, ishte djegur automjeti tip “Audi” në pronësi te shtetasit J. C., 44 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Price”, brenda pak orësh, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme.