I akuzuar për shpërdorim detyre, Vangjush Dako kërkon pushimin e çështjes: Leja për pallatin ishte vendim kolegjial

Që prej mesditës në GJKKO po mbahet seanca paraprake ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Dako përmes avokatit të tij, ka kërkuar pushimin e çështjes dhe nëse kjo kërkese nuk pranohet, nëpërmjet avokatit kërkoi gjykim të shkurtuar.

Ndërkohë ai deklaroi se leja për pallatin për të cilin ai akuzohet ishte vendim kolegjial, ndërsa për tenderin për zhvillimin e vijës bregdetare u shpreh se projekti ështe në zyrat e bashkisë dhe kërkoi nga SPAK që te vijoje verifikohet.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.

Rasti i parë, lidhet me një pallat në qendër të Durrësit, i cili fillimisht ka patur një leje për 8 kate, por që ka përfunduar me 3 kate të tjera shtesë. Kanë qenë banorët e tij, që pas dëmtimeve të rënda që objekti pësoi nga tërmeti i viti 2019, paraqitën kallëzimin në prokurori.

Rasti i dytë, lidhet me një tender, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar se ka një dëm ekonomik prej 18 milionë lekësh dhe një kallëzim të bërë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 nga ish-kryetari i Partisë Demokratike të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj.

Në nëntor të vitit të kaluar Dako bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar një masë më të butë. Kërkesa e tij u refuzua, duke e lënë në burg.