I akuzuar për korrupsion, GJKKO cakton masën “arrest shtëpie” për administratorin e inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja

Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Leli Kajën, administratorin e “Eco Alb” në Elbasan, i cili u arrestua pak ditë më parë me urdhër të SPAK.

Në seancën gjyqësore është paraqitur avokati i caktuar kryesisht, Lefter Xhengo, duke thyer bojkotin e avokatëve, që prej disa javësh nuk paraqiten në gjyq për shkak të rregullores së re të GJKKO.

Kaja u arrestua për akuzën e “korrupsionit pasiv”.

Sipas SPAK, Kaja ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë hetimit, njofton Prokuroria e Posaçme, u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.