I akuzuar për deklarim të rremë/ SPAK paraqet akte të reja në GJKKO për Asllan Dogjanin, kërkon kalimin për gjykim

SPAK ka përsëritur kërkesën për të dërguar në gjyq deputetin e Partisë Demokratike Asllan Dogjani pasi akuzohet për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament.

Konkretisht sipas SPAK, deputeti Dogjani në ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Por hetimet e SPAK kanë zbuluar se apartamenti është paguar me para cash dhe jo siç deklaronte Dogjani. Po ashtu mësohet se SPAK ka dorëzuar në gjykatë aktet shtesë të kërkuara nga GJKKO.

Mbrojtësi ligjor i Dogjanit, Përparim Kulluri kërkoi kohe për të paraqitur kundërshtimet, kërkesë që u pranua nga gjykata. Seanca e radhës paraprake u caktua në datë 8 maj.