Ëndrra e Margarita Xhepës ishte të bënte edhe një film. Nga homazhet e ikonës së kinematografisë shqitare, djali i saj, Ndriçim Xhepa tregoi pengun e nënës së tij, Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 93 vjeçare.
Aktori tha se Margarita Xhepa ia kushtoi jetën e saj skenës dukë e bërë punën me shumë dashuri dhe pasion.
“Ajo çfarë konstatoj është që ndoshta dhimbjet në këto momente që e sheh konkretisht sa respektohet puna dhe vlera shpirtërore që ajo ka dhënë përmes profesionit që ajo bëri. Në 90 vite jetë ajo 70 vite i pati në ekran. Punoi me shumë dashuri, pasion, me një lloj këmbëngulje që vetëm njerëz që e kanë shumë brenda profesionin e tyre mund ta arrijnë. Unë vetë jam i biri, por kam përshtypjen që përmasat që ajo e zotëronte këtë lloj pasioni që e shfaqte kam frikë se nuk e kam.
E mbylli jetën e saj në mënyrë normale pavarësisht se pati probleme këto dy muajt e fundit të karakterit shëndetësor. Edhe lodhja e viteve bën të vetën, por ajo kishte një natyrë që kur binte muhabeti thoshte që ndoshta në skenë nuk kam më mundësi se skena do lëvizje. Kurse tek filmi e kishte një dëshirë dhe ëndërr që mund të bënte tjetër. Them se e mbylli ndoshta ashtu siç e deshi dhe zoti që roli i fundit që bëri sikur përkoi me jetën, ashtu siç erdh edhe finalja e mbylljes së jetës së saj. Mesa duket kështu ishte edhe perdja e jetës, por rëndësi ka që mënyra se si po respektohet sot nga populli kjo ëhstë kënaqësia më e madhe që mund të marri familja dhe mbi të gjitha ajo në atë shpirtin e saj që sot largohet nga kjo botë”, u shpreh djali i saj Ndriçim Xhepa.
Kujtojmë se ditën e sotme në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajtën homazhet në nder të aktores së madhe, Margarita Xhepa, ku morën pjesë personalitete të artit, kulturës dhe politikes.
Pasi përfunduan homazhet, ajo u përcoll për në banesën e fundit.